Prej disa ditësh, protestat qytetare në Shqipëri kanë vijuar pa ndërprerje, ndërsa kritikat ndaj qeverisë janë intensifikuar. Në këtë situatë politike, opinionisti Xhevat Mustafa vlerëson se reagimet publike dhe demonstratat nuk janë të mjaftueshme për ta vënë në vështirësi kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se vetëm drejtësia mund të prodhojë përgjegjësi dhe ndryshim të prekshëm.
Sipas tij, përballja reale me përgjegjësinë mund të vijë vetëm nga institucionet e drejtësisë, si SPAK-u dhe gjykatat, me kusht që ato të ushtrojnë detyrën në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Të lidhura
None found
“Prej mbi 12 vitesh kryeministri Edi Rama, “viktimë” e vetes, misionit, shumë pushteteve dhe mbështetjes masive nga “populli i majtë”, ka treguar shpesh herë dhe qartësisht se fjalimet, shkrimet në gazeta e rrjete sociale, parrullat, akuzat, të vërtetat… kundër atij si kryeministër e gjithë tufës së tij qeverisëse, i përjeton dhe vlerëson si ca pika shi apo kokrra breshëri! Për trurin dhe sytë e tij, edhe protestat paqësore, të mëhershme nga PD e prej 16 ditësh nga një masë e madhe qytetarësh dhe populli, janë si manifestime popullore apo si shëtitje mbrëmësore!
Domethënë, atë mund ta shqetësojnë, trondisin seriozisht e ta rrëzojnë vetëm hetimet, veprimet dhe vendimet e SPAK, GJKKO, GJYKATËS KUSHTETUESE, GJYKATËS SË LARTË…Kuptohet, nëse këto institucione do të ndërgjegjësohen dhe do të veprojnë me profesionalizëm dhe kurajë, sipas ligjeve dhe KUSHTETUTËS! Edhe nëse do të ndjehen dhe veprojnë si ekzekutues të pavarur e kurajozë të asaj, që në shumicën e vendeve të Perëndimit e të DEMOKRACISË, i thonë DREJTËSI E PAVARUR nga çdo politikan dhe pushtetar! “, thotë ai.
Më tej, Mustafa pretendon se ndaj Edi Ramës, si edhe ndaj rrethit të tij familjar, ekzistojnë shumë dyshime dhe dosje që lidhen me abuzim me pushtetin, korrupsion dhe veprime të kontestuara.
Ai nënvizon se këto çështje prekin projekte dhe zhvillime në disa zona të Shqipërisë, duke shtuar bindjen se prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i trajtojnë me seriozitet hetimor.
“Pra, edhe nga presidenti, kryeministri, ministri i drejtësisë…! Për fatin e mirë të institucioneve tona të drejtësisë, për Edi Ramën individualisht dhe si çift, së bashku me vëllain, Olsin, janë mbushur me dosje abuzimesh me fronin dhe kompetencat, me dosje korrupsioni apo pazaresh antiligjore dhe antikombëtare, jo vetëm kabinetet e tij në Kryeministri dhe në parti, por edhe “piramida familjare” në Surrel…! Ndërsa veprat dhe “kryeveprat” e tij gjenden lehtë në Ksamil, Sarandë, Himarë, Orikum- Karaburun, Sazan, Zvërnec, në qytetin e Vlorës, në Fier, Durrës(port e qytet), Tiranë, Velipojë, Rrjoll, Kelmend, Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër…!
“Lum” ata prokurorë dhe gjyqtarë, që do t’i shikojnë dhe hetojnë!”, thekson ai.
