Mediat italiane: Djali i Vuçiç është menaxher i futbollistit Vlahovic (FOTO LAJM)

Djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiq, aktualisht është menaxher i njërit prej futbollistëve të rinj më të kërkuar në botë, Dushan Vllahoviq, shkruan gazeta italiane “La Repubblica”.

Kjo media bën të ditur se agjentët e Vllahoviqit, mes të cilëve dyshohet se është edhe i riu Vuçiq, janë përgjegjës për faktin se sulmuesi i ri serb e ka refuzuar ofertën e Fiorentinës për vazhdimin e kontratës,

Kur drejtuesit e klubit të futbollit Fiorentina nga Firence para disa muajsh nisën negociatat me futbollistin Dushan Vllahoviq, besuan se do të arrinin ta mbanin me një ofertë të mirë sulmuesin e ri më të mirë në ligën e parë italiane.

Me rrogën e ofruar nga Fiorentina, Vllahoviq do të bëhej lojtari më i paguar në historinë e këtij klubi italian, pohoi presidenti i klubit – do të merrte më shumë se legjendat e klubitGabriel Batistuta dhe Rui Costa. Negociatat, megjithatë, nuk shkuan siç pritej.

 

“Agjenti i tij duhet të vijë në Firence, ai po udhëheq negociatat. I thashë se po rrezikonte shumë. Ne i ofrojmë 40 milionë për pesë vjet. Unë punoj gjatë gjithë vitit për atë që ai mund të marrë në dy ose tre ditë”, u tha gazetarëve presidenti i klubit Rocco Commisso në fund të shtatorit të këtij viti.

Vetëm një javë më vonë, Commisso e lëshoi ​​një deklaratë. Përkundër ofertës joshëse, Vllahoviq ende nuk pranoi ta vazhdonte bashkëpunimin me klubin për të cilin ka luajtur tre vitet e fundit.

“Ne e rritëm ofertën disa herë për ta kënaqur Dushanin dhe njerëzit rreth tij, por me gjithë përpjekjet nuk u pranua propozimi për kontratë të re.”

Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, rol të rëndësishëm në zgjidhjen e kontratës kanë luajtur agjentët që e përfaqësonin Vllahoviqin. Dukej se kishin oreks më të madh.

Sulmuesi i ri përfaqësohet nga agjencia “International Sports Office” nga Beogradi dhe drejtori i saj Darko Ristiq. Mirëpo, Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, së fundi është përmendur në mesin e agjentëve në krye të Vllahoviq, shkruan kjo gazetë italiane.

“Danilo Vuçiq është një nga përfaqësuesit e sulmuesve, por edhe djali i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Vuçiq, ndër të tjera, doli në qendër të vëmendjes së publikut për shkak të fotos që e tregon atë në shoqërinë e njerëzve të nëntokës serbe, aq sa babait të tij iu desh të ndërhynte në mes të fushatës zgjedhore”, shkruan gazeta italiane.

Edhe mediat sportive italiane bënë të ditur se i riu Vuçiq ishte agjent i Vllahoviqit. Portali “FirenzeViola” shkruan se djali i presidentit serb është me ndikim në agjenci, e përveç kësaj ai është edhe mik i mirë me futbollistin e ri. /Express/