Prokuroria ka urdhëruar Policinë e Kosovës, që ta arrestojë të dyshuarën për mashtrim me subvencione në Pejë. Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se Ardiana Begolli është arrestuar.
“Me urdhër të prokurorit, policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarën për veprën penale mashtrimi. Prokurori i shtetit e ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë Nikçi për Insajderin.
Si ra Ardiana Begolli në kurth?
Ardiana Begolli, dyshohet se ka arritur të marrë mijëra euro nga fermërët. E fshehur pas petkut të humanitares, Begolli krijoi një skemë mashtrimi duke u premtuar fermërëve traktorë dhe makineri bujqësore, të cilat sipas saj do të vinin falas nga vendi mik Danimarka, ndërsa fermerët do të paguanin, vetëm kostot e transportit.
Një shumë që shkonte në 250 euro për një mjet, ndërsa shtoheshin vazhdimisht nëse fermeri do të kërkonte makineri të tjera bujqësore.
Të gjendur përballë një oferte të “parrezistueshme”, fermerët ranë dakord që të jepnin paratë. Kështu, fermeri i parë që kontaktoi me Ardianën, duhej të krijonte një grup me pesë persona, të cilët duhet të kryenin pagesën.
Pagesa shkonte në xhepin e Ardiana Begollit, e cila ia kishte dalë që të krijonte një profil prej humanitareje duke përdorur një shoqatë në emër të saj, por që ligjerisht nuk njihej nga institucionet e Kosovës.
Pasi mori paratë nga fermerët, ajo nisi ti mbante me shpresa, se makineritë bujqësore do të vinin, ndërsa i shtynte drejt porosive për mjete të tjera bujqësore, për të rritur më shumë fitimet e saj dhe për të “zhytur” edhe më keq fermerët e gjorë, të cilët vonë “nuhatën” se këtu vinte era mashtrim dhe jo një mashtrim dosido, por me një skenar të përgatitur deri në detaje nga Begolli, e cila deri sa u përball me ne mendoi se do ia hidhte paç. Por ndonjëherë… gjërat nuk shkojnë sipas planit.
Kështu pas denoncimeve të ardhura në Redaksinë e “Piranjave”, iu futëm punës, për zbuluar se çfarë fshihet pas kësaj shoqate, gjoja bamirsie, pasi… djalli fshihet në detaje.
Kështu, u futëm në rol. Si një fermer i interesuar për pajisje bujqësore, kontaktuam me Begollin dhe i lamë një takim. Këtu, nga dëshira e madhe për të përfituar sa më tepër para, Ardiana ishte e gatshme të na takonte dhe të bënte pazarin e radhës, i cili në fund nuk doli ai që ajo priste.
Pasi firmosëm për të dhënë paratë në një bllok, pa vulë dhe asnjë detaj formal, tema doli tek paratë, të cilat Ardiana Begolli nuk dëshironte ti merrte në ambient të hapur në lokalin ku ishim ikur për të mbyllur ujdinë. Dhe ne nuk ia prishëm, lekët shkuam t`i merrnim tek makina, ku në fakt isha dhe surpriza e rezervuar për te. Në vend të parave, nisi përballja me të vërtetën.
E zënë ngusht përballë fakteve, Begolli vijonte të këmbëngulte se nuk është një mashtruese dhe se fermerët do t`i merrnit mjetet bujqësore, por kur i kërkuam një dokument të vetëm që vërtetonte bashkëpunimin e saj me fondacionin në Damimarkë, që sipas saj, do të sillte traktorët dhe makineritë bujqësore, ajo nuk kishte asgjë për të thënë dhe nxitoi të shkonte në makinë.
Por të largohesh nuk do të thotë se shpëton nga përballja me të vërtetën dhe me drejtësinë. Prandaj, tashmë çështja është në dorën e drejtësisë së Kosovës, e cila ka nisur hetimet.