Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se subjektet politike duhet të nisin diskutimet për emra konkretë që mund të kandidojnë për postin e presidentit të ardhshëm. Sipas tij, një marrëveshje paraprake do të mundësonte shmangien e zgjedhjeve të reja.
Të lidhura
None found
“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.
Ai njoftoi se mbrëmë u ka dërguar mesazh kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, të cilëve u ka propozuar një takim për çështjen e presidentit.
“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë “konsensuale” dhe gjithëpërfshirëse, me përkrahje sa më të madhe si në Kuvend, ashtu edhe mes qytetarëve.
Ai theksoi se Kosova ka “me dhjetëra” personalitete të përshtatshme nga sfera akademike, politike dhe shoqërore. Në këtë grup, sipas tij, bëjnë pjesë edhe individë që kanë dhënë kontribut në luftë dhe në procesin e shtetndërtimit.
