Kosova importoi mallra nga Serbia më shumë në vitin 2021 sesa në vitin 2020

Dogana e Kosovës thotë se nuk duhet të krahasohet viti 2021 me vitin 2020, pasi që në atë kohë tregtinë e pengoi reciprociteti.

Muaji nëntor i vitit të kaluar ishte hera e parë që në vendet e CEFTA-s Kosova kishte import më shumë nga Shqipëria sesa nga Serbia.

Por përkundër përpjekjeve që të reduktohet bashkëpunimi tregtar me këtë shtet fqinj, kjo nuk dha shumë rezultate.

Gjatë vitit që lamë pas Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 300 milionë euro, e që krahasuar me vitin paraprak po del të jetë më shumë.

Zëdhënësi Stavileci ka treguar se cili shtet prinë me produktet e eksportuara drejt Kosovës.

E menjëherë pas kësaj reagoi edhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai bëri një krahasim me kohën deri sa ishte ai kryeministër.

Por ndaj këtyre krahasimeve pati një reagim nga Dogana e Kosovës, ku ata thanë se këtu është bërë një shtrembërim i fakteve që vetë ata i prezantuan.

Madje ata sugjeruan edhe lexim të këtyre fakteve, duke thënë që importi me Serbinë mund të krahasohet vetëm me vitin 2017, kur nuk vlenin masat anti-covid dhe kur nuk kishte masa mbrojtëse e reciprocitet.

Sipas doganës edhe këtë vit importi nga Serbia ka shënuar rënie, kurse sipas tyre Kosova në Serbi ka eksportuar dy milionë euro mallra./Ekspress/


Shtuar 22.01.2022 21:41