“Kosova i takonte Serbisë” kryeministri kroat distancohet nga ‘skandali diplomatik’ i presidentit

Deklarata e presidentit kontravers kroat, Zoran Milanoviç, se ”perëndimi e ka aneksuar Kosovën prej Serbisë“, është kritikuar në opinion publik në Kroaci.

Së fundmi ka reaguar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç i cili ka thënë se Kroacia e ka njohur Kosovën dhe se është shtet sovran.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Kreu i ekzekutivit kroat ka thënë se presidenti po e turpëron Kroacinë me deklaratat e tij. Por shton se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në  Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt”.

Milanoviç është shndërruar në “hero” nëpër mediat serbe. Ai njihet për diskursin e tij pro-rus. Deklarata e tij se ”Kosova është aneksuar“ po cilësohet si skandal diplomatik.


Shtuar 30.01.2023 21:31