Analisti Lirim Gashi ka shprehur një qëndrim të ashpër kundrejt pozicioneve dhe deklarimeve të Richard Grenellit lidhur me Kosovën. Sipas tij, ai tregon mungesë të theksuar njohurie mbi historikun e shtypjes dhe dhimbjes së shqiptarëve të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gashi ka vënë në shënjestër edhe përkrahjen që Grenelli i ofron Avdullah Hotit dhe fraksionit të tij në LDK, duke pyetur hapur se çfarë avantazhi i sjell Kosovës kjo raport i ngushtë politik, raporton “Bota sot”.
Në një reagim të gjatë, Gashi thekson se të qenit amerikan nuk e detyron Grenellin të zotërojë historinë kosovare. Ai mund të shquhet për aftësitë diplomatike, fjalitë e lëmuara dhe buzëqeshjen elegante, por kur bëhet fjalë për dekada të tëra të persekutimit, abuzimeve sistematike ndaj të drejtave të njeriut, vrasjeve në masë, krimeve seksuale, përpjekjeve për asimilim, spastrimeve etnike dhe traumave të thella të shqiptarëve nën regjimet serbe, duket se ai ka një zbrazëti të pashpjegueshme.
Ai e përshkruan këtë mangësi si një hapësirë aq të madhe sa mund të përfshijë një kamion ngarkese me fakte historike. Sipas analistit, fati i kombit shqiptar dhe i shtetit të tyre të ri duket se ka pak peshë për të dhe ai nuk do të hezitonte të vinte bast se Grenelli nuk arrin ta kuptojë, e lëre më ta respektojë, peshën e rolit të Bill Clintonit dhe George W. Bushit në parandalimin e shfarosjes dhe në themelet e pavarësisë.
Gashi shton se kjo ndoshta lidhet thjesht me një këndvështrim të caktuar. Për dikë që vështron nga distanca, një popull i shpërngulur me dhunë mund të perceptohet vetëm si një shifër, një masakër si një numër, një refugjat si një hall burokratik dhe një shtet i sapoformuar si një dosje që riorganizohet mbi bazën e interesave të momentit.
Mbështetja e Grenellit për Avdullah Hotin dhe grupin e tij brenda LDK-së, thekson më tej Gashi, nuk përbën aspak motiv krenarie. Përkundrazi, kur një eksponent politik kosovar merr një përkrahje të tillë nga dikush që duket se ka harruar mbrojtjen e Kosovës nga zhdukja, kjo nuk është një dekoratë për ta ngjitur në mure. Më shumë sesa kaq, ajo të shtyn të ngresh një pyetje të drejtpërdrejtë: çfarë përfitimesh konkrete i sjell Kosovës kjo miqësi?
Lidhur me qasjen e Grenellit, analisti përdor ironi për të përshkruar një gjoja formulë të re ballkanike: historia është e koklavitur, drejtësia kërkon kohë, por interesi financiar duket tejet funksional. Në Prishtinë kjo mund të emërtohet diplomaci, në Beograd mund të quhet fitore, ndërsa në ndonjë zyrë tjetër mund të jetë thjesht një marrëveshje biznesi.
Prej këtu, sipas Gashit, mbin një dyshim tipik ballkanik, që përhapet me shpejtësi: që Grenelli merr pagesë nga Vuçiqi për të minuar pozitat e Kosovës. Nëse bëhet fjalë për një akuzë thjesht politike apo ka fakte të forta, këtë duhet ta vërtetojnë provat. Megjithatë, sjellja e tij shfaqet aq ekstravagante sa njeriu fillon të mendojë nëse financat e Vuçiqit kanë gjetur një rrugë për tu shprehur rrjedhshëm në anglisht.
Analisti e përmbyll arsyetimin e tij duke thënë se nëse një ditë vërtetohet se nuk ka asnjë transaksion të fshehtë, atëherë do të na duhet të ballafaqohemi me një të vërtetë edhe më të hidhur: ndoshta portofoli është thjesht një metaforë. Sipas kësaj logjike, të gjitha konfliktet mes Kosovës dhe qeverive klerofashiste serbe mund të gjejnë zgjidhje përmes një metode moderne: Vuçiqi flet, Grenelli dëgjon dhe valuta e mbyll punë. Në Ballkan kemi kaluar epoka të tëra duke kërkuar drejtësi, dokumentacion, prova, varre masive, llogaridhënie dhe gjykime. Ndoshta kemi qenë disi naivë. Sipas Gashit, në vend të kësaj, duhej të kishim synuar portofolin.
