Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka njohur pensionin e dyfishtë tre të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë 1998-99, njoftoi të mërkurën Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
QKRMT tha në një njoftim për media se i ka përfaqësuar ligjërisht tre të mbijetuar, në procese të ndara gjyqësore, të cilëve gjykata vendosi t’ua njohë pensionin si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës dhe pensionin bazik të moshës (si dhe atë kontributdhënës).
Prej vitit 2014, kur u miratua legjislacioni, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë mund të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe kështu të përfitojnë një pension mujor prej 230 eurosh.
Por pas mbushjes së moshës së pensionimit, që në Kosovë është 65 vjeç, të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë u kërkohet të zgjedhin mes njërit prej dy pensioneve, sipas QKRMT-së.
QKRMT-ja tha se proceset gjyqësore për këto raste kanë filluar qysh nga viti 2021.
“Fillimisht janë përgatitur dhe dorëzuar paditë për 5 raste, ndërsa më vonë numri i rasteve ka vazhduar të shtohet”, tha kjo qendër.
Nuk dihet numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.
QKRMT-ja tha se vendimi i gjykatës të mërkurën “është dëshmi e mjaftueshme” se të mbijetuarve duhet t’u njihet e drejta për marrjen e dy pensioneve.
Ajo i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta rregullojë këtë çështje përmes një akti administrativ “dhe t’ua mundësojë kategorive, të cilat gëzojnë të drejtën që të përfitojnë nga dy pensionet, t’i marrin ato nga momenti kur plotësohen kushtet ligjore, në mënyrë që mbijetuarit mos të presin me vitet të tëra deri sa të vendosë gjykata për njohjen e kësaj të drejte”.