Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vendosur që nëntë të pandehurit, të dyshuar për “Krime lufte kundër popullatës civile”, të qëndrojnë në paraburgim për një muaj.
Të lidhura
None found
Nën dyshime për kryerjen e kësaj vepre penale, të paraparë në nenin 142 lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, janë D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D.
Vendimi u mor nga gjyqtarja e procedurës paraprake pas përfundimit të seancës dëgjimore, e cila miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj secilit prej nëntë të pandehurve.
Sipas vlerësimit të gjykatës, kjo masë është e përshtatshme pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse do të liheshin të lirë, të pengonin zhvillimin e procedurës penale, t’i shmangeshin ndjekjes ose të bëheshin të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Gjykata e ka bazuar këtë vlerësim edhe në faktin se të pandehurit kanë shtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë, ndërsa posedojnë edhe pasaporta të këtij shteti. Për këtë arsye, është konstatuar se ekziston rreziku konkret që ata të largohen për t’iu shmangur ndjekjes penale dhe drejtësisë.
Po ashtu, është vlerësuar se lënia e tyre në liri mund të krijojë mundësi për ndikim te provat dhe dëshmitë, duke rrezikuar administrimin e drejtë e të plotë të tyre dhe sqarimin e plotë të gjendjes faktike.
Palët që nuk pajtohen me këtë aktvendim mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
