Edhe pas disa ditësh, Vllaznia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për të ardhmen e pankinës. Ndonëse ndarja me trajnerin Edi Martini tashmë konsiderohet e ditur, klubi shkodran ende nuk e ka konfirmuar publikisht këtë vendim, ndërsa vijon vlerësimi i emrave që mund ta pasojnë.
Në këtë periudhë, presidenti Alban Xhaferi është shfaqur në një forum të zhvilluar në Copenhagen, duke e përfaqësuar klubin në këtë aktivitet. Përmes një postimi në Instagram, ai ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në një ngjarje që e cilëson të rëndësishme për Vllazninë.
Të lidhura
None found
“Krenari dhe përgjegjësi të përfaqësoj KF Vllaznia në këtë forum të rëndësishëm, duke forcuar marrëdhëniet dhe pozicionin e klubit tonë në familjen e madhe të futbollit europian. Vllaznia, gjithmonë me ambicie përpara!”, shkruan Xhaferi.
Ndërkohë, në lidhje me trajnerin e ardhshëm, në media është përmendur emri i Csaba Laszlo. Bëhet fjalë për teknikun rumuno-hungarez, i cili ka një CV të pasur në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, deri tani ky emër mbetet pjesë e spekulimeve, pasi nuk ka pasur diçka konkrete mes palëve.
