Balotazhi në Kosovë, reagon kryeministri Albin Kurti: Fituam 4 komuna, sukses i LVV-së!

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti, tha sot (9 nëntor) se në bazë të rezultateve që kanë marrë nga komisionarët zgjedhorë, partia e tij ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Gjilan në raundin e balotazhit për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Në total, në këto zgjedhje lokale, LVV, tha Kurti, ka fituar në shtatë komuna.

“Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq”, tha ai.

Kurti tha se në partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në raundin e balotazhit, prandaj ky rezultat “është një sukses i LVV-së”.

Pas humbjes në Obiliq, Xhafer Gashi jep dorëheqje nga funksionet në LDK

Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti pasi humbi zgjedhjet lokale.

Ai i uroi sukses Halil Thaçit nga LVV-ja. Gashi kishte qenë kryetar i Obiliqit për 12 vjet.

“Ndoshta nuk ia kemi dalë për arsye se diku na kanë vjedhur, atëherë unë si kryetar i degës së LDK-së në Obiliq e marr përgjegjësinë për humbjen dhe jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga kryesia e Lidhjes Demokratike dhe nga kryetar i nëndegës”, tha ai.

Gashi ishte kryetar i Obiliqit për 12 vjet.


Shtuar 9.11.2025 21:34