Të premten ishte afati i fundit për banorët serbë në veri të Kosovës që të zëvendësojnë targat e makinave të tyre të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës.
Policia tha se nga rreth 10 mijë makina sa vlerësohet të ketë në veri të Kosovës, rreth 4 mijë e 200 janë me targa të reja, ndërsa shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre në Serbi dhe lejohen t’i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër të huaj.
Zëvendës komandanti i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani tha se policia në dy ditët e ardhshme vetëm do t’i paralajmërojë shoferët që nuk i kanë konvertuar targat e makinave, ndërsa nga java e ardhshme ata do të gjobiten apo edhe do t’u konfiskohen automjetet.
“Do të thotë praktikisht që një punonjës policie mund të paralajmërojë, mund të shqiptojë një dënim ose të konfiskojë makinën. Kjo varet nga situata”, tha zoti Elshani.
Autoritetet kishin shtyrë disa herë afatin për regjistrimin e makinave për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta kanë përdorur targa të lëshuara nga autoritetet serbe me emërtime të qyteteve të Kosovës.
Branislav Kërstiç nga Mitrovica e Veriut thotë se serbët u lanë vet nga Beogradi dhe u detyruan të regjistrojnë makinat.
“Ata u detyruan ose të riregjistrojnë makinat e tyre me targa RKS, ose të kryejnë procesin e riregjistrimit nëpër qytete të Serbisë. Fatkeqësisht, kjo është pasojë e gjendjes sonë aktuale dhe nuk ka mbetur asnjë veturë me targa KM”, tha zoti Kërstiç.
Çështja e targave ishte një nga çështjet kryesore që çuan në tensione midis Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar.
Me një nëntor të vitit të kaluar qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.
Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor ndërsa që nga ajo kohë veriu i Kosovës është përshkuar disa herë me tensione të larta.
Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon posaçërisht pas ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ndërsa Prishtinës i kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Beogradit i kërkohet të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.