Katy Perry ka treguar se takimi me Justin Trudeau erdhi si një nga dhuratat më të mëdha në një prej periudhave më të vështira të jetës së saj.
Të lidhura
None found
Këngëtarja 41-vjeçare foli për ndarjen nga Orlando Bloom dhe marrëdhënien e saj me ish-kryeministrin kanadez, të cilin tashmë e përshkruan si “dashurinë e jetës së saj”.
Në një intervistë për PEOPLE, Perry u kthye te viti i fundit, gjatë të cilit ishte angazhuar me turneun “Lifetimes”. Në atë periudhë, përveç reagimeve kritike ndaj albumit “143”, ajo u përball edhe me përfundimin e lidhjes me Bloom, me të cilin kishte kaluar rreth nëntë vite dhe kishte një vajzë.
“E vërteta është se viti i kaluar ishte vërtet i vështirë”, tha Perry, duke nënvizuar se vështirësitë në jetën private dhe në karrierë nuk e bënë të hiqte dorë.
Sipas saj, ajo arriti të rikthehej te qëllimi i saj dhe nga turneu mori dhuratën më të rëndësishme: takoi personin që e quan dashurinë e jetës.
Bëhet fjalë për Justin Trudeau, 54 vjeç, me të cilin këngëtarja u njoh gjatë turneut. Zërat për një lidhje mes tyre nisën pasi të dy u fotografuan duke darkuar në Montreal, ndërsa disa ditë më vonë Trudeau ndoqi një prej koncerteve të Perry-t bashkë me vajzën e tij.
“E takova Justin në turne dhe pastaj gjërat ndryshuan”, rrëfeu këngëtarja.
Perry tregoi gjithashtu se gushtin e kaluar kishte hartuar një listë me dëshirat që kishte për jetën e saj. Një prej tyre ishte shkruar me dy fjalë: “Dashuri e vërtetë”.
“Dhe mendoj se aty jemi tani”, u shpreh ajo.
Lidhjen e tyre, Perry dhe Trudeau e konfirmuan publikisht në tetor, kur u shfaqën së bashku në Paris për ditëlindjen e këngëtares. Më pas, në qershor, ata dolën për herë të parë në tapetin e kuq, gjatë Festivalit të Filmit Tribeca.
Duke folur për marrëdhënien e re, Perry tha se Trudeau e ka shoqëruar gjatë gjithë verës dhe ka qenë i pranishëm në 10 prej 20 koncerteve të saj të fundit.
“Ai i di tekstet, më mbështet dhe më admiron. Është tepër terapeutike”, tha ajo.
Këngëtarja shtoi se Trudeau është “vërtet një person që punon me zemrën e tij”, duke e cilësuar këtë si një prej tipareve që i lidh.
“Jam shumë mirënjohëse”, deklaroi Perry.
Për lidhjen e mëparshme me Orlando Bloom, ajo tha se nëntë vitet e kaluara së bashku i kishin dhënë shumë mësime.
“Nuk do të kisha qëndruar në një lidhje për nëntë vjet nëse nuk do të kishte gjëra vërtet të rëndësishme që duhej të mësoja. Çdo lidhje është një mësuese, apo jo? Më është dashur ta lë të shkojë që të mund të vazhdoja përpara”, tha këngëtarja.
Perry rrëfeu se prej kohësh kishte dëshiruar një “dashuri epike, legjendare” dhe se tani e ndien veten të plotësuar, pasi në jetën e saj është shfaqur pjesa që mungonte.
“Çdo gjë në jetën time është epike, por kjo ishte pak a shumë pjesa që mungonte në enigmë – dhe pastaj u shfaq”, tha ajo.
Ylli i popit tregoi se aktualisht po shijon përditshmërinë dhe po e jeton jetën në një mënyrë që i jep mundësi ta shndërrojë atë edhe në frymëzim për muzikën.
“Unë e jetoj jetën time në mënyrë që të mund të shkruaj për jetën time”, përfundoi Perry.
