Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, mori pjesë në takimin e zhvilluar nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e linjës, Delina Ibrahimaj, me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe inspektoratet qendrore. Diskutimet u përqendruan te rikonceptimi i mënyrës së qasjes së inspektorateve dhe trupave inspektuese ndaj bizneseve, përtej zbatimit të kuadrit ligjor.
Gjatë fjalës së tij, Sula bëri të qartë se çdo kontroll që bie ndesh me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga ligji nuk do të pranohet.
Të lidhura
None found
“Inspektorati i Përgjithshëm nuk do të tolerojë asnjë inspektim që bëhet pa paralajmërim dhe jashtë programit të inspektimit. Nuk do të lejojmë asnjë shkelje ligjore”, deklaroi Sula.
Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm nënvizoi se objektivi është krijimi i një procesi inspektimi transparent, të rregullt dhe ligjor, duke parandaluar çdo abuzim ndaj bizneseve, subjekteve dhe qytetarëve.
Përmes videomesazhit, Sula iu bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast ku kanë hasur, ose pretendojnë se kanë hasur, sjellje abuzive nga inspektorët apo kontrolle të zhvilluara në mënyrë të parregullt.
Ai sqaroi se qytetarët mund t’i drejtohen Inspektoratit të Përgjithshëm përmes mekanizmave të ankimit, në mënyrë që pretendimet të verifikohen dhe, nëse është e nevojshme, të ndërmerren masat përkatëse.
Mesazhi i tij është pjesë e përpjekjeve për të forcuar transparencën dhe për të standardizuar procedurat e inspektimit, me synimin që kontrollet të kryhen vetëm në përputhje me detyrimet dhe rregullat e përcaktuara nga ligji.
