Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur arsyet përse nuk e përkrahin kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e Presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, kundërshtimi lidhet me mungesën e balancës së pushteteve, çështjet që kanë të bëjnë me kredencialet kushtetuese dhe vendimet e Sejdiut, si dhe me mënyrën se si kandidatura është paraqitur brenda partisë.
“Së pari, mungon balancimi i pushteteve. Së dyti, kemi çështjen e kredencialeve kushtetuese dhe vendimeve të tij, të cilat janë skandaloze. Së treti, është procedura e ndjekur brenda partisë, e cila është e gabuar”, deklaroi Gashi.
Ai e vlerësoi si të pasaktë edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatit. Gashi tha se Abdixhiku duhej ta kishte parasysh se disa deputetë, mes tyre edhe Avdullah Hoti, nuk do ta votonin Sejdiun.
“Unë mendoj që është idiotësi në veprim (nga zoti Abdixhiku), po sepse ata u dasht me ditë që ka deputetë që këtë emër të përveçëm kanë edhe arsye personale mos me votu, u dashtë me ditë që Avdullah Hoti në asnjë rrethanë nuk e voton, pse e gjetën atë emër. Është politike, janë aty pesë arsyet e para politike”, deklaroi ai.
Gashi e cilësoi këtë propozim si një gabim politik, duke e lidhur atë me performancën e LDK-së në zgjedhje.
“Personi që e ka shkatërruar partinë, i ka humbur 100 mijë vota, ta ka përgjysmuar numrin e deputetëve dhe e shpërblen për President. Çfarë logjike politike ka? Pse ekzistojmë ne në politikë nëse e bëjmë këtë veprim?”, tha Gashi.
