Adenis Shala po e vijon këtë sezon karrierën jashtë Evropës, pasi gjashtë muaj më parë iu bashkua klubit Nasaf Qarshi në Uzbekistan. Sulmuesi kosovar ka folur për Telegrafi rreth vështirësive të përshtatjes në një vend dhe kulturë të re, si edhe për ndeshjet në Ligën e Kampionëve të Azisë kundër disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Të lidhura
None found
Para transferimit në Uzbekistan, Shala ka qenë pjesë e skuadrave të njohura si Hajduk Split dhe Fenerbahce, që në moshë të re. Në Kosovë, ai ka mbrojtur ngjyrat e Ferizajt, Feronikelit, Gjilanit dhe Trepçës ’89. Momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij e përjetoi te Shkëndija e Tetovës, ku vazhdon të jetë i dashur nga tifozët.
Kalimi te Nasaf Qarshi përbën një sfidë të re për futbollistin nga Prishtina, si në planin sportiv, ashtu edhe në atë personal. Ai është përballur me një ndryshim të madh jetësor, duke iu dashur të përshtatet me një shtet dhe kulturë të ndryshme në kontinentin aziatik, ku futbolli karakterizohet nga një intensitet më i lartë fizik se në Maqedoni dhe Kosovë.
“Vendosa ta vazhdoj karrierën në Uzbekistan sepse kampionati atje është i fortë. Zgjodha Nasaf Qarshin pasi është një nga klubet më të mira në vend dhe ka një strukturë shumë profesionale”, deklaroi Shala.
Futbollisti pranoi se përshtatja nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht për shkak të dallimeve mes jetës në Azi dhe asaj në Evropë.
“Ka qenë një ndryshim i madh. Uzbekistani është pjesë e Azisë dhe përshtatja me jetën këtu është shumë më e vështirë sesa në Evropë. Megjithatë, çdo ditë po përpiqem të përshtatem sa më mirë”, tha Shala për Telegraf.
Duke e krahasuar futbollin në Uzbekistan me atë të Maqedonisë dhe Kosovës, ish-lojtari i Shkëndijës së Tetovës, me të cilën u shpall edhe kampion, vlerësoi se diferenca kryesore qëndron te aspekti fizik.
“Sipas mendimit tim, futbolli në Uzbekistan është më i fortë nga ana fizike. Ka shumë intensitet dhe lojtarë të fuqishëm, më tepër sesa në Maqedoni dhe Kosovë”, u shpreh ai.
Përveç kampionatit vendas, Shala ka luajtur me Nasaf Qarshin edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë. Në këtë kompeticion, ai është përballur me ekipe me histori të madhe si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad, duke fituar përvojë të veçantë përballë skuadrave të mëdha dhe futbollistëve kampionë.
“Me klubin tonë morëm pjesë në Ligën e Kampionëve të Azisë. Në grup kishim shumë ekipe të forta, si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad, skuadra me histori të madhe dhe lojtarë kampionë. Për mua ishte një përvojë e jashtëzakonshme të luaja kundër tyre”, tregoi Shala.
Në këto përballje, sulmuesi kosovar pati mundësinë të luante kundër yjeve si Karim Benzema dhe Ngolo Kante, ndërsa rrëfeu edhe bisedën që zhvilloi me Mario Mitja pas një prej ndeshjeve.
“Karim Benzema është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe fitues i Topit të Artë. Takimi me të dhe mundësia për të luajtur kundër tij ishin një ëndërr e bërë realitet. Mario Mitaj është një lojtar dhe njeri i madh. Pas ndeshjes pata mundësinë të bisedoja me të; kryesisht folëm për kombëtaren shqiptare dhe i urova sukses në ndeshjet e play-off-it. Gjithashtu i urova fat për ndeshjet e marsit dhe shpresoj që Shqipëria dhe Kosova të arrijnë në Kupën e Botës”, tha ai.
Mes futbollistëve me të cilët është përballur, N’Golo Kanté duket se ka lënë gjurmën më të fortë te Shala.
“N’Golo Kanté më la një përshtypje të veçantë. Asnjë lojtar me të cilin jam përballur nuk më ka impresionuar si ai. Thjeshtësia dhe modestia e tij janë të jashtëzakonshme, sidomos duke pasur parasysh se ka fituar Kupën e Botës, Premier League dhe Ligën e Kampionëve. Për mua ishte një surprizë shumë pozitive”, përfundoi Shala.
E ardhmja e tij te Nasaf Qarshi ende nuk është e përcaktuar, pasi ekziston mundësia që sezonin e ardhshëm të rikthehet në Evropë.
