Në një kohë kur angazhimi i të rinjve në jetën publike dhe komunitare kërkon gjithnjë e më shumë hapësirë, në Kamëz po merr formë një model i ri përfaqësimi nxënësish. Në qendër të këtij organizimi qëndron Krenar Dunga, President Lokal i Rrjetit të Qeverive të Nxënësve – ZVA Kamëz.
Rrjeti i Qeverive të Nxënësve – ZVA Kamëz, i përbërë nga 24 përfaqësues të shkollave për vitin shkollor 2025–2026 (numri pritet të dyfishohet vitin e ri shkollor), synon të krijojë një zë të përbashkët të nxënësve në nivel lokal. Çdo shkollë përfaqësohet nga presidenti i qeverisë së nxënësve ose nga një përfaqësues i zgjedhur prej saj, duke krijuar një strukturë që lidh nxënësit, shkollat dhe nismat e tyre.
Të lidhura
None found
Në krye të kësaj strukture është Krenar Dunga, përfaqësues i Gjimnazit “Ibrahim Rugova” Kamëz. Pavarësisht moshës së re, Krenari ka zgjedhur që angazhimin e tij ta ndërtojë përmes një ideje të qartë: nxënësit nuk duhet të jenë vetëm dëgjues në institucionet arsimore, por edhe pjesëmarrës aktivë në vendimmarrje dhe në jetën e komunitetit.
Një strukturë e ndërtuar për të dëgjuar zërin e nxënësve
Përkrah Krenarit, struktura drejtuese e Rrjetit përbëhet nga dy zv.presidentet, Ergi Sekno, përfaqësuese e Shkollës “Angela Merkel” Kamëz, dhe Rona Vata, përfaqësuese e Shkollës “Niko Hoxha” Valias.
Në funksion të këshillimit dhe diskutimit të mëtejshëm të nismave dhe vendimeve të Rrjetit janë edhe dy këshilltare të përzgjedhura, Sejda Gjorgji, përfaqësuese e Shkollës “Nënë Tereza” Laknas, dhe Jehona Elezi, bashkëpërfaqësuese e Shkollës “Angela Merkel” Kamëz.
Kjo strukturë synon që vendimmarrja të mos jetë individuale, por të ndërtohet përmes konsultimit dhe përfaqësimit të shkollave.
Krenar Dunga, nga përfaqësues shkolle në drejtues të një rrjeti lokal
Roli i tij nuk kufizohet vetëm te drejtimi formal i strukturës. Ai është angazhuar në promovimin e iniciativave që prekin drejtpërdrejt jetën e nxënësve, duke e parë Rrjetin si një gjenerator ku idetë e të rinjve mund të kthehen në nisma konkrete.
Për Krenarin, lidershipi rinor nuk është thjesht një titull, por një përgjegjësi për të përfaqësuar të tjerët.
“Zëri i nxënësve, forca e ndryshimit” është një prej parimeve që përshkon këtë qasje.
Në këtë kuptim, Rrjeti i Qeverive të Nxënësve – ZVA Kamëz përfaqëson edhe një shkollë të hershme të lidershipit: atë të të rinjve që mësojnë të bashkëpunojnë, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të diskutojnë dhe të marrin përgjegjësi për komunitetin ku bëjnë pjesë.
Një zë i përbashkët për 24 shkolla
Ajo që e bën këtë nismë të veçantë është pikërisht përpjekja për të kaluar nga përfaqësimi individual i një shkolle në një platformë të përbashkët të nxënësve të Kamzës.
24 përfaqësuesit sjellin në Rrjet problematika, ide dhe propozime nga shkollat e tyre, ndërsa struktura drejtuese koordinon diskutimin dhe nismat e përbashkëta.
Në këtë mënyrë, qëllimi nuk është vetëm të flitet për nxënësit, por t’u krijohet atyre mundësia të flasin me zërin e tyre.
Vitin e arshëm shkollor, pas këtij viti të suksesshëm, rrjeti pritet të zgjerohet dhe të përmirësohet akoma më shumë, nën drejtimin e vizionarëve, në të mirën e komunitetit arsimor të Kamzës.
