Zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të Njësisë Administrative Ulëz, në Bashkinë e Matit, kanë krijuar një situatë kritike, ndërsa flakët kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit. Deri tani, zjarri masiv ka djegur qindra hektarë pyje dhe ka përfshirë edhe banesa.
Në këtë zonë janë shkrumbuar të paktën dy shtëpi. Pronarët, Preng dhe Geg Stojani, deklaruan se kanë humbur gjithçka që ndodhej brenda banesave. Në momentin kur flakët përfshinë objektet nuk kishte njerëz brenda, por zjarri u ka shkatërruar plotësisht edhe pemëtoret.
Të lidhura
None found
Përhapja e shpejtë e vatrës detyroi autoritetet të evakuonin rreth 300 krerë lopë. Bagëtitë u zhvendosën me urgjencë në drejtim të fshatit Gallatë të Milotit.
Edhe pas evakuimit, kërcënimi vazhdon të jetë i madh për fshatrat Tordhën dhe Madhesh. Disa banesa dhe më shumë se 200 koshere bletësh mund të përfshihen nga flakët në çdo moment.
Dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor dhe të mbrojtjes civile, pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe banorë vullnetarë po marrin pjesë në operacionin e gjerë nga toka. Ndërhyrja nga ajri po kryhet aktualisht vetëm nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke qenë se flakët po avancojnë drejt luginës së Shkopetit, autoritetet lokale i kanë kërkuar me urgjencë qendrës shtimin e mbështetjes ajrore. Përhapja e zjarrit në këtë drejtim mund të sjellë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.
