Prokuroria e Lartë Publike ka rikthyer në shqyrtim aferën “Mazuti”, një hetim kompleks financiar dhe energjetik me vlerë 167 milionë euro. Vendimi për ndalimin e procedurës është anuluar, ndërsa janë kërkuar veprime të tjera hetimore për të sqaruar ligjshmërinë e prokurimeve të mazutit për TEC Negotinën gjatë krizës energjetike, përcjell INA.
Të lidhura
None found
Çështja lidhet me 13 persona fizikë dhe një kompani. Në maj të vitit 2026, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi ta mbyllte hetimin, duke argumentuar se nuk kishte prova për ndotje ekologjike dhe se SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) nuk ishte dëmtuar financiarisht, pasi furnizimi gjatë krizës kishte vijuar normalisht.
Pas ankesës së paraqitur nga EMV-ja, Prokuroria e Lartë evidentoi mangësi të rëndësishme në ekspertizat ekonomike të kryera deri tani. Për këtë arsye, ajo urdhëroi kthimin e lëndës për hetime të mëtejshme, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të mundshme individuale dhe institucionale.
Në mesin e personave që po shqyrtohen janë edhe bartësit e vendimeve kryesore për tenderët. Në dosje përfshihen Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski, pronarë të kompanisë “RKM” që fitoi tenderin, Asmir Jahoski, pronar i “Pucko Petrol”, si dhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovacevski.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në këtë aferë mund të jenë të përfshirë edhe familjarë të politikanëve, krahas personave të tjerë publikë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi dje se informacionet që ka marrë për këtë rast mund të shkaktojnë tronditje në opinionin publik, pas vendimit për rihapjen e çështjes së mazutit.
“Në pajtueshmëri me atë që është ndarë me mua si informacion nga ana e atyre që kanë punuar intensivisht me atë lëndë. Informacionet që janë ndarë me mua e që lidhen me lëndën, jam i sigurt që do ta tronditin opinionin kur do të shpërndahen. Ja kaq do të them dhe do të lë që hetimi ta tregojë të veten” – deklaroi Toshkovski.
Megjithatë, ministri nuk dha përgjigje nëse personat që aktualisht dyshohen në këtë çështje ndodhen apo jo në territorin e shtetit.
Afera ka nxitur debate dhe ndarje të forta në opinion, ku përballen akuzat politike me argumentet e bazuara në vlerësime ekonomike.
VMRO-DPMNE, partia në pushtet, kishte deklaruar më herët se vendimi fillestar për mbylljen e rastit nga prokurorët Islam Abazi dhe Katerina Kollareviq ishte një “amnisti për krimin e strukturave të afërta me LSDM-në dhe BDI-në”. Në anën tjetër, disa ekspertë ekonomikë dhe analiza mediatike argumentojnë se blerja e mazutit “shpëtoi miliona”, pasi TEC Negotina prodhoi energji më të lirë në një periudhë kur energjia elektrike e importuar në bursë kishte çmime jashtëzakonisht të larta. Përfundimi pritet të përcaktohet nga ekspertizat e reja financiare dhe teknike. (INA)
