Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot hap seancën e 121-të, me 53 pika të përfshira në rendin e ditës. Mes çështjeve që do të trajtohen është edhe propozimi për emërimin e Arlinda Hasani Sinanit në postin e zëvendësguvernatores së Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Deputetët pritet të vendosin me votë për kandidaturën e Hasani Sinanit, e cila vjen pas konkursit publik që Banka Popullore e kishte shpallur për vendin e lirë të punës.
Seanca përfshin po ashtu shqyrtimin e Propozim-ligjit për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte në lexim të parë, si edhe Propozim-Strategjinë Kombëtare për Sigurinë e Trafikut Rrugor 2026–2030.
Në agjendë është vendosur edhe votimi për pëlqimin ndaj Statutit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbetjeve Komunale.
Deputetët do të kenë para vetes disa ratifikime të konventave dhe marrëveshjeve, që lidhen me aviacionin civil, bashkëpunimin për riatdhesimin e personave me qëndrim të parregullt, si dhe me bashkëpunimin në mbrojtje me Lituaninë, Slloveninë dhe Portugalinë.
Në kuadër të seancës do të shqyrtohet edhe një numër i konsiderueshëm propozim-ligjesh në procedurë të shkurtuar, të cilat kryesisht synojnë harmonizimin me Ligjin për zyrtarët e lartë drejtues.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të analizojë Raportin vjetor për vitin 2025 të Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik.
