Një material i përfshirë në aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit ka nxitur një debat të gjerë në Kosovë, edhe pse autorësia e tij nuk është bërë ende publike dhe mbetet e pasqaruar.
Të lidhura
None found
Përmbajtja e dokumentit është përdorur në rrjetet sociale për të ngritur pretendime mbi një lidhje të mundshme mes institucioneve ose pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA.
Bashkësia Islame e Kosovës, BIK, i ka mohuar këto pretendime dhe u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që të sqarojnë nëse dokumenti është i vërtetë dhe nga e ka origjinën.
Dokumenti, i titulluar “Top sekret 2”, është paraqitur nga Prokuroria Speciale si pjesë e provave në aktakuzën ndaj Shehollit. Megjithatë, nuk është bërë e ditur publikisht nëse ka prova që ai është hartuar nga BIA.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Prokurorinë Speciale nëse disponon të dhëna për autorësinë dhe autenticitetin e materialit, si dhe se çfarë vlere provuese i atribuohet atij. Deri në publikimin e këtij artikulli, përgjigje nuk ka marrë.
As BIA, e kontaktuar përmes emailit nga REL-i, nuk ka kthyer përgjigje.
Fatmir Sheholli akuzohet nga Prokuroria se ka bashkëpunuar me këtë agjenci serbe.
Sipas materialit, një fotografi e të cilit, në vlerësimin e Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit, paratë e mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në Kosovë.
Dokumenti pretendon se synimi i kësaj skeme do të ishte zgjerimi i ndikimit të islamit, krijimi i përçarjeve mes shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i mënyrës se si Perëndimi e percepton Kosovën. Këto rrethana, sipas përmbajtjes së tij, do t’i shërbenin objektivit të Serbisë për ta kthyer Kosovën nën juridiksionin e saj.
Prokuroria nuk ka shpjeguar publikisht se cilat prova përdor për të mbështetur autenticitetin ose autorësinë e dokumentit.
Në aktakuzën kundër Shehollit, BIK-u nuk akuzohet për bashkëpunim me BIA-n. Megjithatë, pasi aktakuza u publikua nga media të ndryshme, në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë pretendime të tilla.
Lëvizja për Rikthim, e cila deklaron se angazhohet “për braktisjen e fesë islame dhe rikthimin në besimin e të parëve katolikë”, shkroi në Facebook se “në çdo xhami të Kosovës” ndodhet të paktën një “spiun” i BIA-s.
Arbër Gashi, pjesëtar i kësaj lëvizjeje, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se postimi pasqyron qëndrimin e saj.
“Është e qartë që ajo është faqe, e cila bën edhe propagandën e vet dhe i kundërvihet propagandës që po vjen nga qarqet islamike dhe qarqet e BIA-s serbe, të cilat punojnë edhe përmes imamëve shqiptarë në Zvicër”, ka thënë Gashi, i cili jeton dhe punon në Zvicër.
Ai nuk i ka paraqitur REL-it prova të dokumentuara që do t’i mbështesnin këto akuza.
Debati në rrjetet sociale ka prodhuar qëndrime të kundërta, por edhe etiketime, fyerje e akuza mes përdoruesve.
BIK-u e sheh këtë zhvillim si shndërrimin e një çështjeje që duhet të shqyrtohet nga drejtësia në atë që e cilëson “fushatë të orkestruar” ndaj institucionit dhe komunitetit mysliman.
“Po e helmojnë popullatën, po vënë në lajthitje njerëzit dhe, çka është më e keqja, bëjnë një fushatë kundër vetë popullit të Kosovës, kundër trashëgimisë”, ka deklaruar për REL-in Ramadan Shkodra, zyrtar i BIK-ut.
Shkodra ka mohuar që xhamitë në Kosovë të jenë ndërtuar në shkelje të procedurave ligjore.
“Asnjë xhami në Kosovë nuk është bërë pa leje të komunave, pa leje të BIK-ut dhe pa miratim të komunitetit. Të gjitha janë bërë në rrugë legale dhe me dosje të kompletuara. Le ta gjejnë vetëm një rast të kundërt dhe atë do ta shkatërrojmë me themel”, është shprehur ai.
Sipas Shkodrës, donacionet e ardhura nga vendet mike të Kosovës ose nga individë brenda vendit janë dhënë përmes procedurave ligjore dhe mund të kontrollohen nga institucionet shtetërore.
BIK-u e përshkruan dokumentin si “sajesë të hershme” dhe “pamflet ideologjik”, por njëkohësisht kërkon që Prokuroria Speciale ta hetojë deri në fund origjinën dhe vërtetësinë e tij.
“Për mua është një paçavure… Unë shpreh një lloj habie se si njerëzit tanë, kinse me t’u ‘rizbuluar’ ky dokument nga telefoni i Shehollit, pa u lodhur fare e marrin si të mirëqenë, e marrin si fakt të kryer, si argument të rregullt. Ndërkaq, aty s’ka as institucion, datë, as nënshkrim dhe asgjë prapa”, ka thënë Shkodra.
REL-i u është drejtuar Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për të mësuar nëse institucionet kosovare kanë evidentuar raste kur xhami, institucione ose aktivitete islame në Kosovë janë financuar nga burime në Serbi. Po ashtu, pyetjet kanë përfshirë edhe mundësinë që ndonjë financim i tillë të jetë lidhur me institucione shtetërore serbe, BIA-n ose struktura të tjera të sigurisë.
Deri në kohën e publikimit të artikullit, as këto institucione nuk i kanë kthyer përgjigje Radios Evropa e Lirë.
Kosova është e përcaktuar si shtet laik.
Në regjistrimin e popullsisë të zhvilluar më 2024, 93.49 për qind e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë.
Për Institutin e Kosovës për Drejtësi, shqetësim përbën edhe mënyra se si materialet e aktakuzës kanë dalë në publik. Aktakuza është shpërndarë nga disa media.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cilëson “papërgjegjësi” ose “lëshim” publikimin e materialeve të aktakuzës.
Ai thekson se gjithçka që Prokuroria ka paraqitur duhet të konsiderohet provë e pretenduar deri në momentin kur të shqyrtohet dhe vlerësohet nga gjykata.
“Kur në publik publikon informata të tilla, të cilat duhet të provohen në gjykatë, unë besoj se mund të kenë kundërefekt dhe janë kundër interesave strategjike të Kosovës”, ka deklaruar Miftaraj për REL-in.
Sipas tij, publikimi i aktakuzës dhe i materialit “Top sekret 2” ka sjellë “hipoteza të paqëndrueshme”, keqlexime të përmbajtjes dhe ndarje mbi baza fetare.
Miftaraj thotë se një dokument me përmbajtje të ngjashme ka qarkulluar prej vitesh dhe pyet pse institucionet nuk e kanë sqaruar më herët prejardhjen dhe autenticitetin e tij.
“Pse duhet të dalë në publik në këtë fazë, kur ne e dimë qartë që Serbia e ka mision publikun me të dhëna dhe informata, të cilat ngrenë dilema, shkaktojnë përçarje në mesin e popullit të Kosovës? Ne e kemi parë këto ditë në rrjetet sociale se çfarë rëndësie i kanë dhënë dhe si është interpretuar ky dokument nga grupe të ndryshme, për qëllime të ndryshme”, ka thënë ai.
Një material i ngjashëm u publikua edhe në korrik të vitit 2024 nga një televizion vendor. Në atë rast pretendohej se shërbimi informativ serb kishte hartuar rreth 20 vjet më parë një plan për financimin e xhamive në Kosovë.
Pretendimi kishte shkaktuar debat edhe në atë kohë.
Naim Tërnava, kreu i BIK-ut, i kishte mohuar akuzat dhe ishte shprehur se, nëse do të paraqiteshin prova që ndonjë xhami në Kosovë ishte ndërtuar me investime nga Serbia, ai vetë do ta rrënonte atë.
Më 29 gusht të këtij viti, pas rikthimit të debatit për dokumentin, Tërnava u kërkoi autoriteteve të verifikojnë vërtetësinë e tij.
Ai deklaroi se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës ndaj Shehollit kishte krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.
Sociologu Fadil Maloku paralajmëron se debati mund të çojë në një tjetër problem: kalimin nga dyshimet ose përgjegjësia e mundshme e një individi te fajësimi i një komuniteti të tërë.
Sipas tij, përplasjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të dokumentit mund të shkaktojnë polarizim ndërfetar, pavarësisht se kush qëndron pas hartimit të materialit.
“Në gjykimin tim sociologjik, tendenca për përfshirjen e një institucioni dhe komuniteti fetar, pa pasur ende ndonjë verdikt definitiv gjyqësor, përveç tjerash, ka si imperativ dëmtimin, njollosjen, kontestimin, zbehjen, por edhe ushtrimin permanent të paragjykimit ndaj këtij institucioni”, ka thënë Maloku për REL-in.
Ai vlerëson se ekziston rreziku që një përgjegjësi eventuale individuale të perceptohet si përgjegjësi e gjithë komunitetit.
Maloku shton se ndjenja e të qenit i sulmuar mund të forcojë atë që sociologjia e religjionit e quan “solidaritet mbrojtës”, pra bashkimin e anëtarëve të një grupi rreth identitetit të tyre të përbashkët kur besojnë se janë nën kërcënim.
Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, kërkon që diskutimi të largohet nga përgjithësimet për komunitetet fetare.
“Qasja e të gjithëve duhet të jetë përcjellja e punës së Prokurorisë. Nuk mund të flasim ne me emra të përgjithshëm, por duhet të fokusohemi në emra të përveçëm”, ka thënë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, i njëjti parim duhet të zbatohet edhe ndaj individëve dhe lëvizjeve që, duke iu referuar dokumentit të publikuar, akuzojnë BIK-un në rrjetet sociale.
Vrajolli vlerëson se BIK-u ka kontribuar në ruajtjen e reziliencës shoqërore dhe në frenimin e rrymave që mund të dëmtojnë kohezionin e shoqërisë.
Megjithatë, ai paralajmëron se debati i krijuar mund të ketë pasoja edhe për sigurinë.
Sipas Vrajollit, çdo zhvillim që cenon kohezionin shoqëror në Kosovë mund t’u shërbejë interesave të shteteve që e shohin Kosovën si kundërshtare.
Ai e sheh sqarimin institucional si një nga mënyrat për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Nuk besoj që ka pasur ndonjëherë ndonjë tendencë nga ana e institucioneve që të targetohet një grup i caktuar. Por, shpeshherë, për shkak të një heshtjeje, krijohen këto debate. Andaj, mendoj që është me rëndësi që qoftë Prokuroria, qoftë institucionet tjera të përfshira në rast, të japin sqarimet e duhura”, ka deklaruar Vrajolli.
Miftaraj gjithashtu paralajmëron se vijimi i përplasjeve me gjuhë ndërfetare mund të dëmtojë bashkëjetesën dhe mirëkuptimin mes komuniteteve fetare.
Ndërkohë, Maloku kërkon që çështje të tilla të trajtohen me qetësi, transparencë dhe gjuhë institucionale.
Debati i shkaktuar nga “Top sekret 2” ka lënë në hije pyetjet kryesore që ende presin përgjigje nga institucionet: kush e ka përgatitur dokumentin, a është autentik dhe çfarë provon konkretisht në procesin penal ku është paraqitur si dëshmi.
Derisa këto çështje të sqarohen, pretendimet e nxjerra nga përmbajtja e materialit nuk mund të konsiderohen fakte të vërtetuara. / REL
