Leon Pohlus ka bërë të ditur zyrtarisht se rrugëtimi i tij me Vllazninë ka përfunduar. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, 29-vjeçari ka ndarë me ndjekësit emocionet dhe mendimet e tij pas largimit nga skuadra shkodrane.
Futbollisti pranon se ndarja nuk ndodhi në mënyrën që kishte menduar, ndërsa nënvizon se për fanellën kuqeblu ka dhënë gjithçka. Gjatë qëndrimit në Shkodër, ai tregon se ka përjetuar momente të veçanta, por edhe periudha të vështira, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Të lidhura
None found
Pohlus u bashkua me Vllazninë pas transferimit nga skuadra irlandeze Shamrock Rovers dhe qëndroi vetëm një sezon te klubi shkodran. Tashmë, 29-vjeçari është lojtar i lirë.
POSTIMI NË SHQIP
Kapitulli im te Vllaznia ka përfunduar zyrtarisht.
Nuk ishte kjo mënyra që kisha imagjinuar për t’i dhënë lamtumirën këtij klubi. Çdo ditë kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Kam njohur anën e bukur të Vllaznisë, por edhe vështirësi që janë shfaqur prapa skenave. Si në futboll, edhe në jetë, jo çdo gjë varet gjithmonë nga ti.
Mbështetja e njerëzve të Shkodrës do të mbetet diçka që nuk do ta harroj kurrë. Tifozët më qëndruan pranë që nga dita e parë deri në ditën e fundit dhe për këtë do të jem gjithmonë mirënjohës.
Keqardhja ime më e madhe lidhet me faktin se nuk arritëm të shpalleshim kampionë. Për pjesën më të madhe të sezonit ishim në krye të renditjes dhe tifozët e meritonin të festonin titullin. Nuk arritëm të jepnim më të mirën në momentet më të rëndësishme dhe kjo është diçka që do të më dhembë gjithmonë.
Jam i bindur se lojtarët luftuan dhe dhanë maksimumin për këtë fanellë, megjithatë futbolli nuk vendoset vetëm në fushën e lojës. Disa rrethana jashtë kontrollit tonë e bënë rrugëtimin më të vështirë. Pavarësisht kësaj, do të mbetem krenar për luftën, kujtimet dhe momentet që ndamë së bashku.
Po largohem me kokën lart dhe me mirënjohje për mundësinë që pata, si edhe për të gjithë njerëzit që njoha gjatë kësaj periudhe.
Faleminderit shokëve të skuadrës dhe të gjithë atyre që më mbështetën, patën besim tek unë dhe më qëndruan pranë gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Faleminderit, Shkodër.
