Mali i Zi u trondit të hënën nga një ngjarje e përgjakshme, ku një shtetas rus 30 vjeç dyshohet se u fut me forcë në një poligon qitjeje në Danilovgrad dhe qëlloi për vdekje tre punonjës.
Personat që humbën jetën janë Nemanja Kapor, 20 vjeç, Petar Globarević, 24 vjeç, dhe Momir Radonić, 67 vjeç. Të tre ishin të punësuar në poligonin “Češka Zbrojevka” në Danilovgrad.
Të lidhura
None found
Të dhënat e publikuara deri tani tregojnë se i dyshuari e frekuentonte rregullisht poligonin dhe ishte familjarizuar me ambientet e tij. Teksa ndodhej aty, ai hapi zjarr ndaj tre punonjësve për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.
Pas vrasjeve, 30-vjeçari dyshohet se mori armë dhe municione nga poligoni. Më pas u largua me një automjet “Seat Cordoba”, i cili, sipas informacioneve paraprake, ishte në pronësi të njërit prej viktimave.
Arratisja e tij vuri menjëherë në lëvizje autoritetet malazeze, të cilat nisën një operacion të gjerë për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Policia e konsideronte atë të armatosur dhe veçanërisht të rrezikshëm, ndërsa po përpiqej të përcaktonte itinerarin e largimit.
Automjeti i vjedhur u gjet më vonë. Gjatë kërkimeve, hetuesit lokalizuan 30-vjeçarin në një hapësirë pyjore mbi lagjen Topla, në Herceg Novi, rreth 120 kilometra nga vendi i sulmit.
Situata u tensionua pasi policët e gjetën dhe e rrethuan. Bazuar në informacionet paraprake, shtetasi rus dyshohet se qëlloi në drejtim të efektivëve dhe më pas kreu vetëvrasje.
Nga përplasja nuk raportohet të ketë mbetur i plagosur asnjë punonjës policie.
Edhe pse autori u identifikua dhe operacioni i kërkimit përfundoi, arsyeja e vrasjes së trefishtë vazhdon të mbetet mister. Autoritetet po analizojnë provat e siguruara në vendngjarje dhe po verifikojnë lëvizjet e 30-vjeçarit përpara dhe pas sulmit.
Një prej rrethanave që po shqyrtohet është fakti se ai dyshohet se e kishte vizituar poligonin edhe gjatë ditëve të mëparshme, ku kishte realizuar të shtëna provë.
Deri në këtë fazë nuk është sqaruar nëse autori kishte pasur më herët konflikt me viktimat, nëse ekzistonte ndonjë raport personal mes tyre apo nëse krimi ishte përgatitur paraprakisht.
Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe mënyra se si 30-vjeçari siguroi armët dhe municionet, si dhe rruga që ndoqi pasi u largua nga Danilovgradi.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në Malin e Zi. Në kujtim të tre viktimave, autoritetet kanë shpallur dy ditë zie kombëtare.
Policia dhe organet e hetimit po vijojnë punën për të rindërtuar, minutë pas minute, dinamikën e ngjarjes brenda poligonit dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.
Vrasja e tre punonjësve, e pasuar nga vetëvrasja e autorit, ka lënë shumë pyetje pa përgjigje, ndërsa nga hetimet priten hollësi të tjera për rrethanat që sollën këtë tragjedi.
