Komuna e Çairit ka reaguar përmes një njoftimi për media lidhur me incidentin e rëndë, ku një i mitur ka mbetur i plagosur rëndë, duke shprehur keqardhje të thellë dhe uruar shërim sa më të shpejtë për të.
Të lidhura
None found
Institucioni vendor thekson se ngjarja nuk është regjistruar në territorin e Komunës së Çairit. Sipas saj, zbardhja e plotë e rastit dhe përcaktimi i rrethanave u takojnë institucioneve kompetente.
Komuna u ka bërë thirrje mediave që, për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe faktit se të përfshirët janë të mitur, të tregojnë kujdes në raportim dhe të verifikojnë me saktësi të dhënat, përfshirë vendndodhjen e incidentit, për të mos krijuar perceptime të pasakta në opinion.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se i mituri i plagosur ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe po lufton për jetën.
“Një person aktualisht është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën. Bëhet fjalë për një të mitur, ndërsa sipas informacioneve fillestare të marra nga shërbimet e Ministrisë, edhe personi që ka kryer veprën penale është i mitur. Fëmija me lëndime të rënda trupore dhe fëmija që i ka shkaktuar ato janë të së njëjtës gjeneratë, të lindur në vitin 2012”, deklaroi ministri./Telegrafi/
