Ethan Nwaneri është nisur për t’iu nënshtruar testeve mjekësore, përpara se të bashkohet me Borussia Dortmundin në huazim për të gjithë sezonin nga Arsenali.
Gazetari Fabrizio Romano raporton se palët kanë arritur marrëveshjen për sulmuesin 19-vjeçar, ndërsa klubi gjerman do të marrë përsipër pagesën e pagës së tij.
Të lidhura
None found
Interesimi i Dortmundit për Nwanerin u konkretizua pas dëmtimit të Giannis Konstantelias, situatë që e la skuadrën me mungesa në repartin ofensiv. Drejtuesit e klubit e konsideruan huazimin si mundësinë e duhur që talenti anglez të fitojë minuta të rregullta në ekipin e parë.
Sezonin e kaluar, Nwaneri nuk arriti të siguronte një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar të Arsenalit. Ai realizoi vetëm 2 gola dhe dha 1 asistim në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet, përpara se të huazohej te Marseille, ku shënoi dy gola dhe regjistroi një asistim në 12 paraqitje.
Gjatë sezonit të tij të parë 2024/25, futbollisti anglez kishte realizuar nëntë gola dhe dy asistime në 37 ndeshje. Më pas, ai firmosi një kontratë të re afatgjatë me Arsenalin.
Transferimi në Bundesliga pritet t’i japë Nwanerit mundësinë të zhvillojë më tej potencialin e tij, duke përfituar nga një rol me minuta të rregullta në fushë.
