Tim Cook largohet nga drejtimi i Apple pas 15 vitesh, duke ia kaluar postin John Ternusit. Pasardhësi i tij merr në dorë një nga kompanitë më të fuqishme në botë, por njëkohësisht përballet me disa çështje vendimtare për të ardhmen e saj.
Të lidhura
None found
Cook u emërua CEO i Apple në gusht të vitit 2011, kur pasoi Steve Jobs, një nga personalitetet më me ndikim në historinë e teknologjisë. Në ndryshim nga Jobs, ai e mbështeti modelin e tij të drejtimit te aftësitë menaxheriale, zgjerimi i sektorit të shërbimeve dhe konsolidimi i zinxhirit global të furnizimit.
Nën udhëheqjen e tij, vlera e aksioneve të Apple u rrit me më shumë se 2,000%. Në korrik, kompania preku për pak kohë edhe kapitalizimin e tregut prej 5 trilionë dollarësh, duke u renditur si kompania e dytë që arrin këtë shifër.
Ndër sukseset kryesore të Cook vlerësohet kthimi i iPhone në një element të pandashëm të përditshmërisë. Gjatë mandatit të tij, ekosistemi i Apple u zgjerua ndjeshëm, duke përfshirë pagesat, blerjet, muzikën, aktivitetin fizik dhe përdorimin e një game të gjerë shërbimesh.
David Yoffie, profesor në Shkollën e Biznesit të Harvardit dhe studiues i Apple dhe i stilit drejtues të Cook, tha se ai “arriti ta çonte iPhone-in në një nivel që askush nuk do ta kishte menduar se ishte i mundur gjatë asaj periudhe”.
Megjithatë, bilanci i Cook nuk kufizohet vetëm te zhvillimi i produkteve. Ai pati një rol të rëndësishëm në administrimin e raporteve komplekse politike dhe ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat përbëjnë dy tregje kyçe për Apple.
Përpara se të merrte detyrën e CEO-s, Cook kishte krijuar një përvojë të gjatë në operacione dhe në drejtimin e zinxhirit të furnizimit. Ekspertët vlerësojnë se kujdesi në qasjen e tij, shpejtësia në vendimmarrje dhe zotësia negociuese i mundësuan Apple të mbante funksional furnizimin e iPhone edhe gjatë krizave dhe tensioneve gjeopolitike.
Ron Johnson, drejtues i operacioneve të shitjes me pakicë të Apple nga viti 2000 deri në vitin 2011, e cilësoi Cook një udhëheqës “inteligjent” dhe “strategjik”.
“Ai ishte ndoshta më i kujdesshmi nga anëtarët e ekipit ekzekutiv. Gjithmonë dëgjonte i pari dhe fliste kur kishte diçka për të shtuar”, deklaroi Johnson.
Një tjetër provë për Cook ishte raporti me administratën Trump, të cilin ai arriti ta menaxhonte. Për të shmangur tarifat e larta, Apple u zotua të investonte 600 miliardë dollarë në zgjerimin e veprimtarisë së saj në SHBA, përfshirë prodhimin brenda vendit të disa komponentëve kritikë të iPhone.
Paralelisht, Cook e orientoi kompaninë drejt shpërndarjes së prodhimit edhe jashtë Kinës, pa ndërprerë lidhjet me tregun dhe drejtuesit kinezë. Sidoqoftë, tarifat amerikane dhe pandemia e COVID-19 nxorën në pah se varësia e Apple nga Kina vazhdon të jetë një shqetësim i madh.
Kjo çështje do të jetë pjesë e sfidave që i kalojnë John Ternusit, i cili merr drejtimin e Apple më 1 shtator.
Ternus do të duhet të trajtojë gjithashtu presionin e autoriteteve rregullatore në Evropë. Për shkak të kërkesave të Bashkimit Evropian, Apple është detyruar të ndryshojë mënyrën e funksionimit të App Store, ndërsa versioni i ri i Siri-t nuk pritet të lançohet në Evropë për shkak të rregullave të BE-së.
Megjithatë, inteligjenca artificiale mund të përbëjë pengesën më të madhe për drejtuesin e ri. Apple po vihet gjithnjë e më shumë nën trysni për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjive të AI-së dhe për të ngushtuar diferencën me konkurrentët. Në të njëjtën kohë, Vision Pro, produkti më i fundit i madh i kompanisë, nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë.
Presion shtesë po krijon edhe mungesa globale e çipave të memories, e shkaktuar nga kërkesa e lartë e industrisë së inteligjencës artificiale. Kjo situatë po ndikon te Apple dhe kompani të tjera, duke i shtyrë ato drejt rritjes së çmimeve të produkteve.
Përpara se të linte detyrën, Cook i përcolli Ternusit një porosi të drejtpërdrejtë: vëmendja duhet të mbetet te produktet që ua përmirësojnë jetën përdoruesve.
“Nëse vazhdoni të përqendroheni në këtë dhe të merrni vendimet tuaja rreth kësaj, kjo do të krijojë një biznes të shkëlqyer”, u shpreh Cook në prill.
Pas një periudhe 15-vjeçare të karakterizuar nga rritja financiare dhe shtrirja globale, trashëgimia e Cook konsiderohet tashmë e konsoliduar. Për John Ternusin, prova e radhës do të jetë të dëshmojë nëse Apple mund ta ruajë të njëjtin ritëm në një fazë të re teknologjike, ndërsa inteligjenca artificiale po e transformon industrinë me shpejtësi.
