Një 20-vjeçare me origjinë shqiptare është përfshirë në një konflikt të rëndë familjar në Rimini, Itali, pasi zgjodhi të largohej nga banesa e prindërve dhe të jetonte me të dashurin e saj italian.
Prindërit e vajzës, 44 dhe 47 vjeç, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, dyshohet se nuk e kanë pranuar lidhjen për shkak të ndryshimeve fetare. Sipas hetimeve, ata i kanë bërë presion të vazhdueshëm të bijës dhe e kanë kërcënuar kur ajo nuk pranoi t’i jepte fund marrëdhënies.
Të lidhura
None found
Familja, e vendosur prej vitesh në Rimini, kishte vendosur kufizime të forta për jetën e 20-vjeçares, duke përfshirë veshjen, shoqërinë dhe vendimet e saj personale. Përplasja u thellua pasi ajo nisi një lidhje me një italian që nuk ishte mysliman.
Për t’i shpëtuar presionit, e reja u largua nga shtëpia dhe u zhvendos te partneri. Dy të rinjtë u përpoqën ta mbanin të fshehtë adresën, por prindërit dyshohet se mblodhën të dhëna nga të afërm, të njohur dhe persona të komunitetit, derisa zbuluan vendndodhjen e çiftit.
Më pas, vajza nisi të merrte mesazhe të shpeshta, disa prej të cilave përmbanin kërcënime. Në njërin prej tyre thuhej: “Mund të të gjej edhe sikur të shkosh në Hënë, sepse familjet shqiptare janë të gjitha të bashkuara”.
Një tjetër mesazh, sipas dosjes hetimore, e paralajmëronte: “Nëse nuk kthehesh në shtëpi, do të kesh një jetë ferr.” Të frikësuar, vajza dhe partneri i saj iu drejtuan Policisë së Riminit dhe bënë denoncim, por sipas tyre, shqetësimet vazhduan.
Në një rast tjetër, prindërit i dërguan vajzës një fotografi ku babai shfaqej pranë rrugës së banesës ku ajo jetonte me të dashurin. Çifti e konsideroi këtë si provë se familjarët e kishin gjetur shtëpinë dhe mund të shkonin aty në çdo moment.
Pas këtij episodi, dy të rinjtë paraqitën një denoncim të dytë dhe kërkuan nga autoritetet masa për të ndaluar kontaktet dhe afrimin e prindërve.
Ngjarja mori një përmasë edhe më serioze në maj të vitit 2026, kur prindërit, sipas hetimeve, shkuan në banesën e çiftit dhe hynë pa leje. Situata rrezikoi të shndërrohej në përplasje fizike, pasi dy të rinjtë dyshohet se u kërcënuan me sulm.
Çifti u tërhoq në një dhomë tjetër, e mbylli derën me çelës dhe telefonoi policinë. Ndërhyrja e efektivëve bëri të mundur shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.
Pas shqyrtimit të dëshmive dhe episodeve të raportuara, Prokuroria e Riminit vendosi të procedojë penalisht dy prindërit. Ata po hetohen në gjendje të lirë për përndjekje dhe kërcënime.
Hetimet vijojnë, ndërsa 20-vjeçarja dhe partneri i saj synojnë të vazhdojnë bashkëjetesën larg presionit familjar dhe ngjarjeve që, sipas denoncimeve, kanë zgjatur për disa muaj.
