Revista Vanity Fair ka rikthyer pas dhjetë vitesh klasifikimin e saj për 70 personat më të veshur në botë gjatë vitit 2026, ku mes personaliteteve të njohura ka përfshirë edhe Papa Leo XIV, një zgjedhje e pazakontë për këtë listë.
Të lidhura
None found
Figura 70-vjeçare e Kishës Katolike është vlerësuar për mënyrën se si ka riformësuar paraqitjen tradicionale papnore. Vëmendje të veçantë ka marrë edhe një pamje nga një dokumentar i prodhuar nga Vatikani, ku Papa shfaqet për disa çaste me atlete Nike të veshura nën rrobën e bardhë papnore.
José Criales-Unzueta, korrespondenti i modës së Vanity Fair dhe një prej kontribuuesve në përgatitjen e listës, tregoi se ekipi ishte impresionuar veçanërisht nga ajo që ai e përshkroi si “stili i lindur amerikan” i Papës.
I lindur në Çikago, Leo XIV ka tërhequr interesin e industrisë së modës edhe për zgjedhjet e tij personale, mes të cilave veshjet e punuara me dorë dhe aksesorët vintage. Në vend të këpucëve tradicionale të kuqe papnore, ai shfaqet shpesh me këpucë të zeza Oxford, të thjeshta dhe klasike.
Një tjetër element i dallueshëm i stilit të tij është një orë zvicerane kuarci, e cila nuk prodhohet më, ndërsa vijon të përdorë edhe një çantë të vjetër. Në qershor të vitit 2025, Papa u bë objekt vëmendjeje gjatë një audiencë publike në Sheshin e Shën Pjetrit, ku mbante një kapelë bejsbolli të Chicago White Sox mbi kapelen papnore.
Për ceremonitë dhe rastet zyrtare, veshjet e tij janë besuar stilistit italian Filippo Sorcinelli. Ai ka krijuar më parë veshje papnore edhe për Papa Benediktin XVI dhe Papa Françeskun.
Vanity Fair e ka vendosur Leo XIV në rubrikën “Origjinalët”, ku përfshihen persona të njohur për zgjedhje ekscentrike, novatore dhe për një qasje të veçantë ndaj modës. Në këtë kategori bëjnë pjesë gjithashtu regjisori Spike Lee dhe këngëtaret Björk e Rosalía.
Vlerësimi i stilit të Papës nuk vjen për herë të parë. Në fund të vitit 2025, ai u rendit edhe nga Vogue ndër njerëzit më të veshur të vitit, së bashku me A$AP Rocky dhe Bad Bunny. Po atë vit, The New York Times e përfshiu mes 67 personave më elegantë.
