Regjistrimet audio zbardhin komunikimet para përplasjes tragjike të trenave në Spanjë

Aksidenti hekurudhor në Spanjë ka shkaktuar të paktën 68 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në të njëjtën kohë, audio të publikuara nga mediat spanjolle kanë nxjerrë në pah bisedat mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit gjatë minutave që i paraprinë përplasjes.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren që po udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tjetër, i cili ishte ndalur në shina.

Të lidhura

None found

Sipas materialeve të publikuara nga El Pais, RTVE dhe media të tjera spanjolle, treni me shpejtësi të lartë mori udhëzimin për të vazhduar rrugën, ndërkohë që rreth 25 kilometra më tej ndodhej një tren i ndaluar.

Treni i kompanisë private Iryo ishte ndalur pranë Urda-s pasi kishte shfaqur një defekt në sistemin kompjuterik. Për menaxhimin e situatës ishte ngarkuar qendra e kontrollit hekurudhor në Madrid.

Në një prej regjistrimeve dëgjohet operatori i qendrës që i thotë drejtuesit të trenit të kompanisë shtetërore Renfe të vijojë normalisht udhëtimin, pasi ishin evidentuar disa vështirësi teknike.

“Vazhdoni udhëtimin dhe më pas ndiqni sinjalizimin anësor, me shpejtësi normale dhe në kushte normale operimi”, shprehet operatori në regjistrim.

Kur makinisti kërkon të konfirmojë nëse duhet të ruajë shpejtësinë normale, përgjigjja e operatorit është: “Po”.

Një tjetër komunikim tregon se makinisti i trenit Iryo kishte lajmëruar qendrën e kontrollit për humbjen e lidhjes me sistemin e kontrollit të trenit. Ai njoftonte gjithashtu se mjeti kishte mbetur i palëvizshëm në Urda.

“Treni është i ndaluar përpara sinjalit hyrës në Urda”, dëgjohet të raportojë makinisti.

Pas disa bisedave, atij iu kërkua ta rifillonte udhëtimin. Por në një telefonatë të mëvonshme, makinisti sqaroi se treni ende nuk mund të lëvizte, pasi sistemi i sigurisë nuk i jepte mundësi të kontrollonte funksionet e tij.

Audioja e fundit ka ngritur pikëpyetje mbi informacionin që kishte qendra e kontrollit për pozicionin dhe gjendjen e trenit Iryo kur treni i Renfe-s po i afrohej.

Sipas kompanisë Iryo, treni i saj, me 147 pasagjerë në bord, u godit nga pas nga treni i Renfe-s, i cili transportonte 397 pasagjerë.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, e përshkroi si “të pashpjegueshëm” urdhrin që trenat të vazhdonin lëvizjen pa kufizime shpejtësie.

Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi ndërkohë se “e gjithë Spanja është në zi”, duke përcjellë ngushëllimet e tij për viktimat dhe të afërmit e tyre.

Gjatë gjithë natës, ekipet e emergjencës vijuan punën në vendin e aksidentit. Për nxjerrjen e viktimave nga vagonët e dëmtuar u përdorën pajisje të posaçme për prerjen e tyre.

Ministria e Brendshme spanjolle, bëri të ditur se në operacion morën pjesë qindra efektivë, ndërsa kërkimet u mbështetën edhe nga dronë e helikopterë.

Për një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës, Spanja shpalli tri ditë zie kombëtare. Hetimi vijon për të sqaruar shkaqet e tragjedisë dhe përgjegjësitë e mundshme.


Shtuar më 29.10.2026 10:36