Dy deputetë aktualë të Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar pasuri me vlerë mbi një milion euro. Të dhënat dalin nga analiza e deklaratave të pasurisë të publikuara dhe informacionet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa disa deputetë të tjerë janë pranë këtij pragu.
Të lidhura
None found
Lista kryesohet bindshëm nga Ismail Jahoski, pasuria e deklaruar e të cilit arrin të paktën në 2,287 milionë euro. Shuma mund të jetë edhe më e lartë, pasi në deklaratën e tij nuk është përcaktuar vlera për disa prej pasurive të paluajtshme, përcjell Pa Censurë.
Sipas Qendrës për Gazetari Investigative SKUP, pjesën kryesore të pasurisë së përllogaritur të Jahoskit e përbëjnë kërkesat nga kreditë e dhëna, të ardhurat nga qiratë, kthimet e kredive dhe depozitat personale. Pasuritë janë deklaruar të gjitha në emrin e tij.
Vendin e dytë e mban Menduh Thaçi, me 1,23 milionë euro pasuri të deklaruar. Përveç Jahoskit, ai është i vetmi deputet për të cilin vlera e përmbledhur publikisht e pasurisë së deklaruar tejkalon një milion euro.
Me rreth 850.000 euro pasuri të llogaritur renditet i treti lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas SKUP-it, vlera arrin në 850.659 euro, por edhe kjo shifër mund të mos jetë përfundimtare, pasi për disa letra me vlerë të deklaruara nuk është shënuar shuma, transmeton Pa Censurë.
Filipçe ka deklaruar gjashtë apartamente në Shkup, një automjet në pronësi të bashkëshortes, një motoçikletë “Indian Pursuit” si dhe letra me vlerë.
Pas tij renditet deputeti i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjia Sajkoski, me pasuri të deklaruar në vlerën 802.601 euro. Në njësinë e pestë zgjedhore, ai është dukshëm përpara deputetëve të tjerë të koalicionit të tij: Olga Lozanovska ka deklaruar 387.782 euro, ndërsa Kire Bozhinovski 352.195 euro.
Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski është gjithashtu pjesë e grupit të deputetëve me pasurinë më të madhe. Vlera e fundit e plotë, e përmbledhur dhe e bërë publike nga deklarata e tij, është 645.945 euro. Ndërkohë, përbërja e pasurisë së tij ka pësuar ndryshime.
Në deklaratën e dorëzuar si deputet në vitin 2024, Kovaçevski ka shënuar katër apartamente dhe një shtëpi. Vlera totale e deklaruar e pasurive të paluajtshme është 365.000 euro, ndërsa njëri prej apartamenteve është në pronësi të bashkëshortes së tij. Ai ka deklaruar se ka shitur një apartament më të madh dhe një makinë, ka përfituar dividendë dhe më pas ka blerë dy apartamente më të vogla dhe një vilë pushimi.
Goran Misovski pason Kovaçevskin me 596.940 euro të deklaruara. Kryetarja e LDP-së dhe deputetja Monika Zajkova ka deklaruar pasuri me vlerë rreth 582.000 euro.
Në dhjetëshen e parë përfshihet edhe Halil Snopçe me 550.000 euro, i ndjekur nga Ilir Hasani me 451.538 euro dhe Bejxhan Iljas me 430.000 euro.
Pas tyre renditen Ilir Demiri me 406.497 euro, Fatmir Bitiqi me 400.980 euro, Olga Lozanovska me 387.782 euro dhe Petar Risteski me 376.406 euro.
Këto shifra nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pasurinë neto të deputetëve. Deklaratat përfshijnë pasuritë e funksionarit dhe të familjarëve të tij, ndërsa për disa pasuri të paluajtshme, pjesëmarrje, letra me vlerë apo mjete bankare nuk është deklaruar vlera. Po ashtu, deputetët raportojnë kredi dhe detyrime të tjera, të cilat nuk zbriten nga aktivet në këto përllogaritje të thjeshta.
Një tjetër vështirësi për krijimin e një renditjeje të plotë lidhet me ndryshimin e përbërjes së Kuvendit pas zgjedhjeve lokale. Ndër deputetët e rinj janë Aleksandra Nikolovska, Martin Stojanovski, Mito Andonov dhe Zeqirja Tairi. Për Stojanovskin, KSHPK më 29 korrik 2026 vendosi gjobë prej 300 euro, pasi ai nuk e dorëzoi deklaratën e gjendjes pasurore brenda afatit ligjor pas marrjes së mandatit të deputetit, përcjell .
Për këtë arsye, renditja pasqyron vetëm deputetët aktualë për të cilët, në këtë moment, mund të konfirmohet dhe të përllogaritet vlera më e lartë e pasurisë mbi bazën e të dhënave të publikuara. Ajo nuk duhet parë si një përcaktim përfundimtar se kush është deputeti më i pasur në Kuvend.
KSHPK sqaron se sistemi i ri elektronik i publikon automatikisht deklaratat e personave aktualë të zgjedhur dhe të emëruar. Komisioni mund të verifikojë edhe saktësinë e të dhënave përmes Kadastrës, MBP-së, Depozitarit Qendror, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Regjistrit Qendror, bankave dhe institucioneve të tjera financiare.
