Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën, pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht.
Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, janë dërguar në spital në gjendje kritike. Bilanci është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.
Të lidhura
None found
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në një banesë dykatëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, kati i parë ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.
Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin mundur të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së zjarrfikësve. Gjatë kontrollit të ndërtesës, ekipet e shpëtimit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete. Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa u shkatërrua dhe u shkaktuan dëme edhe në dy njësitë fqinje.
Të afërm të familjes kanë konfirmuar për mediat lokale se familja është me origjinë shqiptare. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari.
Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë Alia Sulollarin duke qarë pranë banesës së nipërve të saj, ndërsa ngushëllohet nga të afërm dhe persona të afërt me familjen.
Edhe Artan Sulollari është fotografuar në vendngjarje, teksa përpiqet të marrë informacion për fatin e familjarëve.
Sipas raportimeve lokale, fëmijët që humbën jetën ishin djem, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë bërë ende publike moshat dhe identitetet e tyre.
Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende dhe mbetet nën hetim nga autoritetet amerikane.
