Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të monitorojnë situatën e krijuar nga zjarri në zonën e Shashicës, mbi Kavën e Gurit.
Zjarri u shfaq mbrëmjen e 25 gushtit, rreth orës 20:00, ndërsa përhapja e tij u favorizua nga era dhe mori përmasa të konsiderueshme.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës u angazhuan kapacitetet e Bashkisë Vlorë. Forcat zjarrfikëse ndërhynë në terren, koordinuan operacionin dhe arritën ta vënë flakët nën kontroll, duke i shuar gjatë orëve të para të mëngjesit. Banesat e zonës nuk u përballën me rrezik të drejtpërdrejtë.
Gjatë ditës së sotme është evidentuar një vatër e re në drejtim të hapësirës mes Vodiçës dhe Drashovicës. Ndërhyrja me mjete dhe forca tokësore paraqitet më e vështirë për shkak të distancës dhe terrenit të vështirë.
Prefektja e Qarkut Vlorë po e ndjek situatën në vijimësi dhe është në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Mbrojtjes Civile, si edhe me drejtuesit e shërbimeve zjarrfikëse të Bashkive Vlorë dhe Selenicë.
Ndërkohë, po koordinohen kapacitetet e nevojshme për çdo ndërhyrje të mëtejshme, ndërsa mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve mbetet prioriteti kryesor.
