Rezultati i zgjedhjeve në Serbi ka sjellë reagimin e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili e konsideroi humbjen e Aleksandër Vuçiçit një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe një sinjal të qartë për Edi Ramën.
Sipas Shehajt, fitorja e opozitës serbe tregon se pushteti nuk mund të mbahet pafundësisht nga një autokrat, sidomos kur përballet me protesta dhe qëndresën e të rinjve.
Të lidhura
None found
“Lajm i jashtëzakonshëm nga Serbia! Opozita fitoi! Vuçiç, miku i Edi Ramës, humbi zgjedhjet. Tani e ka radhën autokrati i fundit i Ballkanit, Edi Rama”, deklaroi Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia vlerësoi se ajo që ka ndodhur në Serbi duhet t’u japë kurajë të rinjve shqiptarë, të cilët prej muajsh protestojnë duke kërkuar ndryshim politik në vend.
“Është lajm shumë i mirë për të gjithë sepse tregon që asnjë autokrat nuk mund të mbajë pushtetin përgjithmonë. Asnjë autokrat nuk mund të mbajë pushtetin pavarësisht protestave të të rinjve, të studentëve”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit të tij, Shehaj u kërkoi qytetarëve të mos ndalen së protestuari, duke deklaruar se edhe Edi Rama mund të largohet nga pushteti.
“Ka ardhur momenti të iki dhe Edi Rama dhe mund ta largojmë. Duhet të vazhdojmë të protestojmë. Mund ta mundim dhe do ta mundim”, përfundoi Shehaj.





