Policia greke ka bërë publike të dhëna të reja për ngjarjen e rëndë në Rodopi, ku Esma Meço, 44 vjeçe dhe me origjinë nga Gramshi, humbi jetën pasi u plagos me thikë në banesën e saj.
Bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç, gjithashtu nga Gramshi, është arrestuar dhe po hetohet si i dyshuari kryesor për vrasjen.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi në mesditën e 26 gushtit. Një familjar e gjeti 44-vjeçaren brenda shtëpisë, të plagosur rëndë me një mjet të mprehtë. Ajo u dërgua në Spitalin e Komotinit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Dyshimet e para të autoriteteve janë se 53-vjeçari ka sulmuar me thikë bashkëshorten dhe më pas ka dëmtuar veten. Ai u transportua me ambulancë në spital, ku ndodhet nën trajtim dhe ruajtjen e policisë.
Gjatë këqyrjes së banesës, autoritetet sekuestruan dy thika, të cilat konsiderohen prova materiale për hetimin.
Për Bujar Meçon është nisur procedim penal për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të Ligjit për Armët. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe motivin e ngjarjes.
Rasti i dhunës nuk ishte i pari i regjistruar në këtë familje. Në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, Bujar Meço ishte arrestuar në lidhje me kërcënime familjare ndaj bashkëshortes së tij, Esma Meços.
Çifti shqiptar, të dy me origjinë nga Gramshi, kishte tre fëmijë. Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Komotini, ndërsa 53-vjeçari vijon të trajtohet në spital nën mbikëqyrjen e autoriteteve greke.
