Bashkëshortja e 48-vjeçarit, i cili vrau një grua 45-vjeçare në Nea Smyrni dhe më pas kreu vetëvrasje, ka rrëfyer para policisë detaje mbi sjelljen e tij gjatë muajve që paraprinë ngjarjen.
Sipas raportimeve të mediave greke, gruaja ka thënë se kishte dalluar ndryshime të dukshme te bashkëshorti i saj prej afro 18 muajsh. Ai largohej shpesh nga banesa, ndërsa në disa raste kalonte natën jashtë pa i shpjeguar se ku ndodhej.
Të lidhura
None found
Ajo ka deklaruar gjithashtu se ndihej e frikësuar prej tij. Hetuesit po verifikojnë nëse 48-vjeçari kishte pasur lidhje me 45-vjeçaren, si edhe natyrën e raportit mes tyre.
Para se të dilte për herë të fundit nga shtëpia, 48-vjeçari i kishte lënë bashkëshortes së tij 1 mijë euro. Më pas, ai kishte shkuar në Nea Smyrni, ku e kishte pritur 45-vjeçaren pranë banesës së saj.
Kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave ndodhen tashmë në dispozicion të autoriteteve, dyshohet se kanë fiksuar çastin kur viktima hapi derën dhe doli jashtë. Në atë moment, 48-vjeçari e qëlloi me armë, përpara se të qëllonte edhe veten.
Viktima i ishte rrëfyer motrës: “U ndava sepse ishte xheloz”
Dëshmitë e të afërmve të 45-vjeçares janë gjithashtu pjesë e hetimeve. Sipas informacioneve, ajo i kishte treguar motrës së saj se kishte qenë në një marrëdhënie me një burrë, por i kishte dhënë fund për shkak të xhelozisë së tij.
Dyshohet se 45-vjeçarja i kishte thënë motrës se burri vazhdonte të insistonte edhe pas ndarjes, ndërsa ajo kishte frikë prej tij.
Mbrëmjen kur ndodhi krimi, viktima ishte vetëm në apartament. Vajza e saj nuk ndodhej në Athinë, pasi kishte shkuar në Agrinio bashkë me xhaxhain.
Policia kontrollon pajisjet elektronike dhe të kaluarën e autorit
Policia po shqyrton telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike të 48-vjeçarit, me synimin për të gjetur komunikime ose prova që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me viktimën dhe rrethanat para krimit.
Arma me të cilën u krye vrasja dhe vetëvrasja dyshohet se ishte mbajtur në mënyrë të paligjshme.
Paralelisht, autoritetet greke po kontrollojnë të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat shqiptare, ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, nën dyshimin se kishte përdhunuar bashkëshorten. Po ashtu, raportohet se ndaj tij ishte shqyrtuar edhe një procedim penal për përndjekje.
Hetimet mbeten të hapura për të sqaruar motivin e saktë të vrasjes dhe historinë e marrëdhënies mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares.
