Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë pas të shtënave me armë zjarri ndaj automjetit të një 24-vjeçari, në lagjen “1 Maji” të Kuçovës.
Ngjarja u raportua rreth orës 15:40, kur S. R., 24 vjeç, njoftoi Policinë se ndaj makinës së tij, e cila ndodhej e parkuar, ishte qëlluar me armë zjarri.
Të lidhura
None found
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, zhvilluan hetime dhe kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të koordinuara, në Tiranë u lokalizuan dhe u kapën A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë.
Gjatë kontrollit të banesës së A. Xh., në tarracë u gjetën një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen. Ato u sekuestruan si prova materiale.
A. Ç. u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, ndërsa A. Xh. për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ndërkohë, S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
