Ekspertë të historisë dhe psikoterapisë e shohin gjuhën sulmuese të kryeministrit ndaj protestuesve si përpjekje për damkosje kolektive, të ngjashme me praktikat e luftës së klasave para viteve ’90.
Pas përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve të dhunshme me policinë, Edi Rama ka përdorur tone gjithnjë e më të ashpra ndaj studentëve.
Të lidhura
None found
Sipas vlerësimeve, deklaratat e tij përçajnë dhe ndëshkojnë, duke kaluar përtej paralajmërimeve për zbatimin e ligjit.
Fillimisht, pa paraqitur prova, kryeministri pretendoi se mobilizimi i të rinjve nxitej nga shërbime të huaja, përfshirë Rusinë dhe Iranin, ose nga lëvizja ANTIFA, të cilën presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste.
Më pas, Rama paralajmëroi heqjen e bursave, kufizimin e shërbimeve dhe masa të tjera që prekin drejtpërdrejt të drejta të garantuara me Kushtetutë.
“Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit dhe natyrisht që do të bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm”, deklaroi ai.
Kjo gjuhë ka ngritur pikëpyetje jo vetëm për përputhjen e masave të paralajmëruara me Kushtetutën dhe ligjin, por edhe për ngjashmëritë me të kaluarën totalitare të Shqipërisë, vërejnë studiues të historisë.
Hasan Bello, studiues i historisë politike shqiptare dhe veçanërisht i periudhës komuniste, i tha BIRN se kryeministri po i paraqet protestuesit si armiq të popullit, agjentë e bashkëpunëtorë të fuqive të huaja, njësoj si në periudhën para viteve ’90.
Sipas Bellos, Rama po synon t’ua dobësojë legjitimitetin studentëve përmes gjuhës përjashtuese, kërcënimeve dhe ndarjes së shoqërisë, në një mënyrë që të kujton “luftën e klasave”. Ai paralajmëroi se kjo mund të sjellë rritje të tensioneve shoqërore dhe represion nga organet ligjzbatuese.
Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, vëren në deklaratat e Ramës shenja të kulturës autoritare. Sipas tij, sjellja e kryeministrit pasqyron personalizimin e pushtetit, deri aty sa ai paraqitet si “burim i autoritetit ligjor për gjithçka”.
“Diktatorët japin urdhëra e direktiva pa marrë në konsideratë infrastrukturën ligjore në fuqi”, tha Hoxha, duke e lidhur këtë me veprimin përtej kufijve demokratikë.
Pedagogia Enriketa Papa e cilësoi këtë retorikë të dëmshme dhe joproduktive, sidomos në një periudhë kur tensionet shoqërore janë të larta.
“Përpos reminishencave të kulturës së dhunës dhe mendësisë autoritare si trashëgimi të së kaluarës komuniste, retorika nxit konfliktin dhe jo uljen e tensioneve dhe paqen sociale”, tha Papa për BIRN.
Gjuha përjashtuese ka shërbyer historikisht në regjimet totalitare për të ndarë qytetarët e pranuar nga ata që shpallen armiq.
Në diktaturën 45-vjeçare në Shqipëri, kjo praktikë njihej si “lufta e klasave” dhe përdorej për të paraqitur përjashtimin e ndëshkimin e një pjese të popullsisë si të nevojshëm për mbrojtjen e shoqërisë.
Psikoterapisti Neli Demi, e sheh retorikën e Ramës si stigmatizim që tejkalon dënimin e akteve të dhunshme dhe krijon përshtypjen se ekziston një grup qytetarësh që duhet përjashtuar nga jeta shoqërore.
“Kjo gjuhë ushqen ndarjen mes ‘nesh’, qytetarëve të pranueshëm, dhe ‘atyre’, njerëzve prej të cilëve duhet të mbrohemi”, tha Demi.
Ai shtoi se frika mund ta shtyjë publikun të pranojë më lehtë përjashtimin, ndërsa zemërimi mund ta bëjë poshtërimin e tjetrit të duket i merituar.
Sipas Demit, në një demokraci drejtuesit politikë duhet të vendosin kufij ndaj dhunës, por pa ngatërruar autorin e një vepre të paligjshme me protestuesin apo kundërshtarin politik. Retorika e kryeministrit, sipas tij, rrezikon të thellojë mosbesimin dhe konfliktin.
“Përgjegjësia individuale kërkon prova dhe shqyrtim individual, ndërsa damkosja kolektive, si në rastin e reagimeve të Kryeministrit Rama, i shkrin këto dallime”, tha Demi për BIRN.
Ai nënvizoi se historia dhe psikologjia kanë treguar vazhdimisht se forca mund të imponojë bindjen, por nuk krijon besim.
Kushtetuta shqiptare mbron të drejtat dhe liritë themelore. Kufizimi i tyre lejohet vetëm me ligj, për interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, dhe duhet të jetë në përpjesëtim me rrethanat që e kërkojnë.
Akti themeltar garanton edhe lëvizjen e lirë brenda dhe jashtë vendit, si dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor kur cenohen të drejtat, liritë ose interesat kushtetuese e ligjore të individit.
Studiuesit e historisë theksojnë se përgjegjësia për shkeljet e ligjit përcaktohet përmes procedurave ligjore dhe nga institucionet përkatëse, jo me lista apo urdhra politikë të shpallur publikisht.
Hoxha vëren se vullneti politik i kryeministrit nuk mund të caktojë pasoja ligjore për qytetarët.
Sipas tij, kërcënimi për t’u ndaluar hyrjen në BE personave të caktuar tregon mangësi në formimin juridik të Ramës; dëshirat e tij nuk janë akte normative, por “shenja totalitarizmi”.
Ai shtoi se lëvizja e lirë është e drejtë natyrore dhe kushtetuese, ndaj nuk mund të kufizohet me vendim ekzekutiv. Një kufizim i tillë mund të vendoset vetëm nga gjykata dhe mbi bazë ligjore.
Edhe kërkesa për t’u faturuar protestuesve dëmet apo për t’u gjobitur prindërit në vend të fëmijëve të mitur, sipas Hoxhës, nuk mund të miratohet me vendim politik ose ekzekutiv. Për këtë duhet ndjekur procedura ligjore përpara gjykatës.
Hasan Bello i vlerëson masat e propozuara nga Rama kundër protestuesve si antikushtetuese dhe në kundërshtim me vlerat demokratike europiane.
“Është në nderin e tij personal dhe detyrim ligjor që të heqë dorë nga gjuha e përdorur deri sot dhe reminishencat që të kujtojnë atë që përdorte regjimi komunist kundër studentëve në vitin ’91”, përfundoi Bello.






