Teherani i ka dërguar një paralajmërim Bullgarisë, duke deklaruar se çdo përfshirje e saj në një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit do të trajtohet si akt agresioni.
Të lidhura
None found
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, Sofja duhet të mos lejojë që territori ose infrastruktura bullgare të përdoren nga Shtetet e Bashkuara për operacione kundër Iranit. “Nëse Bullgaria bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në një sulm ndaj Iranit, kjo përbën akt agresioni dhe Irani ka të drejtë të godasë burimin e çdo sulmi”, u shpreh Baghaei, sipas mediave iraniane.
Zëdhënësi shtoi se Teherani nuk do të shfaqë “asnjë lloj butësie” ndaj vendeve që i cilëson si agresore. Ai theksoi: “Në përputhje me ligjin ndërkombëtar, goditja e pikës së nisjes dhe e burimit të çdo akti agresioni është një e drejtë legjitime e Iranit”.
Baghaei deklaroi se shtetet e tjera nuk kanë arsye të ndihen të kërcënuara nga Irani, për sa kohë që nuk i vënë territorin dhe infrastrukturën e tyre në dispozicion të SHBA-së.
Ndërkohë, zyrtari iranian i mohoi pretendimet se Ngushtica e Hormuzit është tërësisht e hapur dhe se nëpër të kalojnë çdo ditë disa milionë fuçi naftë. Sipas tij, këto raportime janë pjesë e “luftës së komunikimit dhe propagandës”.
Baghaei hodhi poshtë edhe raportimet se Irani është ftuar t’i bashkohet Marrëveshjes së Mbrojtjes së Mekës. Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyed Badr Al-Busaidi, pritet të udhëtojë drejt Teheranit, ku do të takohet me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi.
Takimi pritet të përqendrohet te marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon, me vëmendje të veçantë te situata në Ngushticën e Hormuzit.
