Erjon Vishkulli rrezikon të humbasë shikimin pas goditjes me plumb gome, mjeku ngre dyshime për transportin: Kush urdhëroi zbritjen nga ambulanca?

Mjeku Ermal Pasha ka denoncuar mënyrën se si u trajtua 28-vjeçari Erjon Vishkulli pas plagosjes në protestën e 24 tetorit në Tiranë. I riu u godit në sy nga një plumb gome dhe, si pasojë, rrezikon të humbasë shikimin. Në një intervistë për News24, Pasha tha se kishte tentuar t’i ofronte ndihmën e parë, por ishte ndaluar të afrohej edhe pse ishte identifikuar si mjek. Ai ngriti gjithashtu dyshime për transportin e të plagosurit, duke pretenduar se Vishkulli fillimisht ishte futur në një ambulancë të policisë dhe më pas ishte nxjerrë prej saj.

Pasha tregoi se e kishte parë të riun të shtrirë në anën tjetër të Lanës, ndërsa rreth tij ndodheshin disa persona. Në fillim mendoi se bëhej fjalë për një rast asfiksie të shkaktuar nga gazi, por kur kuptoi se gjendja po zgjaste, tentoi të shkonte pranë tij.

Të lidhura

None found

“Ishte një moment kur pashë një person në anën tjetër të Lanës, që ishte shtrirë dhe rreth tij ishin mbledhur disa persona. Mendova se ishte një moment asfiksie nga gazi. Kur pashë që situata po zgjaste, tentova të vrapoja drejt tij, por nuk më lejuan. Isha vetëm. Hoqa maskën, syzet dhe u prezantova që të më njihnin. Doja ta ndihmoja, por u pengova”, deklaroi ai.

Mjeku kërkoi nga autoritetet të japin shpjegime për arsyen pse i plagosuri u hoq nga automjeti ku ishte vendosur në fillim dhe kush e mori këtë vendim.

“Si ka mundësi që hipi në ambulancën e policisë dhe më pas u zbrit? Kush e dha urdhrin? E mori një ambulancë që rrinte te radhët e policisë, një fuoristradë e transformuar në ambulancë, një nga ato që transportonin edhe gaz lotsjellës”, u shpreh mjeku.


Shtuar më 25.10.2026 20:38