Pas njoftimeve të qytetarëve për shpendë të ngordhur, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, së bashku me ndërmarrjen komunale të Shkupit, do të zhvillojë kontrolle në terren. Gjatë këtij aksioni do të mblidhen mostra të reja, të cilat do të analizohen për të verifikuar praninë e virusit të Etheve të Nilit Perëndimor.
Të lidhura
None found
AUV-ja konfirmoi për TVM-në se ekipi i posaçëm, i krijuar javën e kaluar, kishte marrë më herët mostra, por ato rezultuan të papërshtatshme për analiza laboratorike.
“Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë mbërritur disa raportime nga qytetarët për shpendë të ngordhur. Në këtë drejtim, javën e kaluar u formua një ekip i posaçëm, i cili të premten doli në terren dhe, në bashkëpunim me NP Higjiena Komunale – Shkup, siguroi mostra nga shpendët e ngordhur. Kontrolli fillestar tregoi se mostrat ishin të thata dhe të papërshtatshme për analizë. Për këtë arsye, nga e hëna ekipi në terren do të sigurojë mostra të reja për analizë.”, deklaruan nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Deri tani, pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e Etheve të Nilit Perëndimor. Ndërkohë, nga Klinika për Sëmundje Infektive bëhet e ditur se sot nuk është shënuar asnjë rast i ri infektimi me këtë virus.
Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar 22 pacientë, ndërsa 4 prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Pacienti më i ri është 25 vjeç. Të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se numri më i lartë i rasteve të Etheve të Nilit Perëndimor është evidentuar në Itali, Greqi, Spanjë, Maqedoni dhe Rumani. /rtvm2
