Pas raportimeve për aksionin e djeshëm të MPB-së dhe pretendimeve për keqpërdorime në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ku përmendej edhe përfshirja e Spitalit Evropian të Syve, institucioni ka reaguar me një deklaratë publike.
European Eye Hospital shprehet se gjatë ditës janë publikuar informacione të pavërteta për aktivitetin e tij në Shkup dhe thekson se do të angazhohet për të sqaruar të vërtetën.
Të lidhura
None found
“Dëshirojmë t’i informojmë pacientët tanë, bashkëpunëtorët dhe opinionin publik se do të ndërmarrim çdo veprim që është në fuqinë tonë për ta bërë të qartë të vërtetën. Njëkohësisht, mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet, siç kemi bërë gjithmonë”, thuhet në njoftim.
Sipas spitalit, në asnjë rast nuk është dëmtuar ndonjë pacient, qoftë në aspektin shëndetësor, moral apo financiar. Përkundrazi, institucioni pretendon se, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit pa mbështetjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka vijuar të ofrojë shërbime me cilësi, humanizëm dhe çmime të përballueshme për ndërhyrjet oftalmologjike.
Në fund, spitali u kërkon portaleve mediatike të tregojnë profesionalizëm dhe respekt për ligjin, integritetin dhe dinjitetin e të gjithëve, duke lënë institucionet kompetente të kryejnë punën e tyre. /Telegrafi/




