Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se priten arrestime të reja të ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, por edhe të zyrtarëve aktualë ndaj të cilëve do të ketë dyshime për shkelje ligjore. Ai i bëri këto komente gjatë emisionit “Vetëm intervistë” në televizionin Kanal 5.
Sipas Mickoskit, Qeveria mbetet e vendosur të zhvillojë një përballje konkrete dhe pa kompromis me korrupsionin.
Të lidhura
None found
“Çdo denoncim për korrupsion është shoqëruar me veprime dhe arrestime. Nuk bëhet fjalë vetëm për dy drejtorët e arrestuar nga pushteti aktual, pasi numri është më i madh dhe pritet të ketë edhe persona të tjerë nëse veprimet e tyre vazhdojnë. Edhe sot u zhvillua një aksion në kuadër të luftës kundër korrupsionit”, tha Mickoski.
Ai shtoi se më herët ishte penguar një skemë kontrabande cigaresh që kishte vijuar për dekada. Kryeministri nënvizoi se hetimi është ende në fillim dhe se së shpejti mund të dalin prova të tjera për funksionarë të lartë të disa qeverive të mëparshme, të cilët dyshohet se janë përfshirë në kontrabandë cigaresh.
Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast korrupsioni, duke garantuar ruajtjen e diskrecionit për denoncuesit. Ai tha gjithashtu se çdo person për të cilin do të provohet përfshirja në korrupsion duhet të përballet me përgjegjësi.
“I ftoj publikisht qytetarët që të denoncojnë rastet e korrupsionit, në mënyrë që të mund të veprojmë. Së shpejti do të mbajmë edhe një konferencë për shtyp me një organizatë ndërkombëtare. Nuk pranoj deklarata politike se gjoja ka korrupsion pa u paraqitur prova. Nëse ekziston, atëherë le ta denoncojmë”, përfundoi Mickoski. (INA)







