Milani dhe Interi kanë arritur marrëveshje me kompaninë e sigurimeve Generali për të drejtat e emërtimit të stadiumit të tyre të ardhshëm, i cili do të mbajë emrin “Generali Stadium”.
Impianti i ri me kapacitet prej 71,500 vendesh do të ngrihet në një parking pranë San Siros aktual. Projektin arkitekturor e kanë hartuar Foster+Partners dhe MANICA; ai përfshin një pamje të frymëzuar nga Duomo dhe tribuna me dy nivele, të pjerrëta.
Të lidhura
None found
Sipas ESPN, marrëveshja kap vlerën e 650 milionë eurove për një periudhë 20-vjeçare. Shifra është më e lartë se 700 milionë dollarët që, sipas raportimeve, Crypto.com pagoi për arenën në Los Angeles, marrëveshje që deri atëherë konsiderohej më e madhja në sport për të drejtat e emërtimit.
Klubet e kanë cilësuar marrëveshjen si “një nga marrëveshjet më të mëdha për të drejtat e emërtimit të stadiumeve në sportin global”.
Milan dhe Inter synojnë të prishin stadiumin e tyre historik, San Siron, dhe të ndërtojnë impiantin e ri. Punimet pritet të nisin më 2028, ndërsa ndeshja e parë planifikohet për sezonin 2031/32, në varësi të miratimeve.
Nëntorin e kaluar, klubet blenë tokën nga qyteti për 197 milionë euro. Projekti udhëhiqet nga RedBird Capital Partners dhe Oaktree, pronarët përkatës të Milanit dhe Interit.







