Gjatë një interviste në emisionin “Vetëm intervistë” të televizionit Kanal 5, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se priten arrestime të reja të ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, por edhe të zyrtarëve aktualë ndaj të cilëve ka ose do të ketë dyshime.
Mickoski tha se Qeveria mbetet e vendosur për të zhvilluar një luftë konkrete dhe pa kompromis kundër korrupsionit.
Të lidhura
None found
Sipas tij, çdo denoncim për korrupsion është shoqëruar me veprime konkrete dhe arrestime. Ai theksoi se numri i të arrestuarve nga pushteti aktual nuk kufizohet vetëm te dy drejtorë, duke paralajmëruar se do të ketë persona të tjerë përgjegjës nëse shkeljet vazhdojnë. Kryeministri përmendi edhe aksionin e zhvilluar gjatë ditës, i cili lidhet me luftën kundër korrupsionit.
Ai shtoi se më herët ishte parandaluar kontrabanda e cigareve, aktivitet që kishte zgjatur për dekada. Mickoski deklaroi se ky është vetëm fillimi i hetimit dhe se së shpejti priten dëshmi të tjera për përfshirjen e funksionarëve të lartë të disa qeverive të kaluara në kontrabandën e cigareve.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast korrupsioni, duke garantuar ruajtjen e diskrecionit të tyre. Ndërsa për çdo person ndaj të cilit vërtetohet se ka kryer veprime korruptive, ai tha se do të ketë përgjegjësi.







