Drenica barazon në sekondat e fundit përballë Malishevës

Drenica ka siguruar një pikë në përballjen me Malishevën, pasi barazoi 1-1 në minutën e parë të shtesës, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Superligës së Kosovës.

Të lidhura

None found

Malisheva e kishte avantazhin deri në fund të takimit, por vendasit nuk arritën ta ruanin epërsinë, ndërsa “kuqezinjtë” reaguan në momentet e fundit.

Golin e barazimit për Drenicën e shënoi Elvis Geci, i cili realizoi në minutën e parë të kohës shtesë.

Geci e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia, pasi përfitoi nga topi i kthyer prej shtyllës pas goditjes së Altin Vojvodës. Ky gol solli festë te skuadra mysafire.

Malisheva kishte kaluar në epërsi në minutën e 41-të, kur Xhemal Ibishi shënoi dhe bëri që ekipi i tij ta mbyllte pjesën e parë në avantazh.

Megjithatë, ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë Malishevës tri pikët, pasi Drenica vazhdoi të luftonte deri në fund dhe arriti ta gjente golin e barazimit.

Pas këtij barazimi, Malisheva numëron katër pikë, ndërsa Drenica ka grumbulluar dy pikë pas dy xhirove. Drenicasit kishin barazuar edhe në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Dukagjinit.


Shtuar më 21.08.2026 18:34