Pau Victor ka treguar se sa kërkuese janë seancat stërvitore të Hansi Flick te Barcelona, duke zbuluar se trajneri gjerman shpesh i ka çuar futbollistët deri në kufijtë e tyre fizikë.
Të lidhura
None found
Edhe pse tashmë është në sezonin e dytë me Braga, Victor vijon të ketë një lidhje të fortë me Barcelonën. Ai ka rikthyer në kujtesë periudhën kur ishte pjesë e klubit dhe punonte nën urdhrat e Flick.
Në një intervistë për “Que t’hi Jugues”, Victor shpjegoi se kërkesat e trajnerit bëheshin të dukshme që në fillim të stërvitjeve.
“Flick kërkon shumë nga ti gjatë stërvitjes. Në më shumë se një rast jam larguar i trullosur”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe një fotografie që u bë virale, ku shfaqej bashkë me Gavin të shtrirë në fushë dhe me këmbët lart, ndërsa rikuperoheshin pas seancës.
Sipas Víctor, trajneri gjerman u kushton rëndësi të veçantë lojtarëve që janë të gatshëm të vazhdojnë punën edhe pasi përfundon stërvitja zyrtare.
“Flick i preferon lojtarët punëtorë, ata që vijojnë të qëndrojnë në palestër pas stërvitjes. Ai i çmon shumë këto detaje të vogla”.
Victor solli si shembull Gerard Martin, një prej futbollistëve që, sipas tij, ka përfituar nga kjo qasje. Dy ish-bashkëlojtarët mbeten miq të afërt, ndërsa Victor ka mbetur i impresionuar nga paraqitjet e Martin, i cili tashmë është shndërruar në një alternativë të rregullt për Barcelonën.
“Sigurisht që nuk e prisja, por nuk jam i befasuar nga paraqitjet e jashtëzakonshme që po bën”.
“Cilësia e tij më e madhe është se punon në heshtje dhe synon të përmirësohet çdo ditë. Atij i është dashur të punojë shumë për të arritur deri këtu dhe zhvillon shumë seanca duke analizuar videot”, tha Victor.





