Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova Çamova, deklaroi në parlament se Sofja nuk pranon ndryshime kushtetuese me zbatim të shtyrë dhe nuk do të rishikojë kushtet e marrëveshjes së vitit 2022 me Maqedoninë. Qëndrimi u bë publik një ditë pas takimit të saj në Sofje me homologun maqedonas, Timço Mucunski.
Të lidhura
None found
Sipas Petrova Çamovës, kërkesat bullgare ndaj Shkupit mbeten të njëjta: garantimi i të drejtave të bullgarëve dhe ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e tyre në të.
“A kemi arritur marrëveshje për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar? Përgjigja është ‘jo’. Ministria e Punëve të Jashtme qëndron pas marrëveshjes së vitit 2022 dhe kategorikisht hedh poshtë mundësinë e çfarëdo anashkalimi, rinegociimi, dakordësie me vende të caktuara anëtare për çfarëdo lloj dakordësie që do të ndryshonin kushtet e marrëveshjes së arritur. Bullgaria nuk merr pjesë në rinegociimin e marrëveshjes me Shkupin. Nuk kemi nevojë për rinegociim dhe rimarrëveshje sepse ato janë të papranueshme për ne”, deklaroi ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova Çamova.
Mucunski dhe Petrova zhvilluan takimin dypalësh në kuadër të Konferencës për Korridorin 8, ku diskutuan edhe kontestin mes dy vendeve. Mucunski e cilësoi bisedën si konstruktive dhe të zhvilluar në një frymë pozitive, por theksoi se pozicionet e palëve vazhdojnë të jenë dukshëm të largëta. Për integrimin evropian, ai tha se ekziston një nivel i lartë mosbesimi, që nga këndvështrimi i Shkupit lidhet me parashikueshmërinë e procesit dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe.
Takimi u pasqyrua gjerësisht edhe nga mediat kryesore bullgare. Pavarësisht përshkrimit të atmosferës si pozitive, BGNES, BNT dhe BTA përcollën si mesazh kryesor se nuk ka ndryshim në qëndrimet e dy palëve dhe në kushtet e Sofjes për integrimin evropian të Shkupit./Alsat/






