Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi. Biseda u përqendrua te thellimi i lidhjeve mes dy vendeve, bashkëpunimi institucional, si dhe çështjet që prekin komunitetet dhe kohezionin shoqëror, njoftoi Ministria.
Të lidhura
None found
Ferati deklaroi se forcimi i dialogut të drejtpërdrejtë, ndarja e përvojave dhe krijimi i partneriteteve konkrete janë bazë për ndërtimin e një rajoni më të integruar, më bashkëpunues dhe më pranë standardeve evropiane.
Gjatë takimit, ministri përcolli mesazhin se çuarja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në një nivel të ri përbën kusht për zbatimin edhe më efikas të Marrëveshjes së Ohrit.
Palët u ndalën gjithashtu te domosdoshmëria e ruajtjes së raporteve të mira dypalëshe dhe e një bashkëpunimi konkret institucional, veçanërisht për çështjet që lidhen me komunitetet, përmirësimin e standardit të jetesës, përfshirjen dhe rritjen e kohezionit shoqëror.
Ferati falënderoi për mikpritjen dhe për diskutimin e hapur e përmbajtësor, i cili u zhvillua në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë po shqyrtonte edhe ligjin për reformën territoriale të bashkive në Shqipëri.
Në kuadër të Forumit të Biznesit të Ballkanit, ministri zhvilloi një takim edhe me Jorida Tabakun, një prej figurave drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilën e përshkroi si një personalitet shumë të vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Diskutimet me Tabakun u fokusuan në bashkëpunimin brenda familjes politike evropiane dhe në procesin e përbashkët të afrimit me Bashkimin Evropian.
“Do të vazhdojmë të ecim së bashku në këtë rrugëtim evropian”, deklaroi Ferati, duke theksuar rolin e bashkëpunimit dhe të partneriteteve në afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.






