Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ndryshimi gradual i pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit lidhet me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se Kosova tashmë disponon institucione të sigurisë profesionale dhe të besueshme, ndërsa theksoi se koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vijon të jetë i afërt.
Maqedonci tha se procesi i optimizimit, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është rezultat i vlerësimeve profesionale të situatës në terren. Sipas tij, kjo nuk nënkupton ulje të nivelit të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës.
“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës. Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, shkroi Maqedonci.
Ai shtoi se përpjekjet e lidershipit serb për ta interpretuar optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim ndaj komunitetit serb ose si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk pasqyrojnë realitetin në terren.
“Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”, u shpreh Maqedonci.
