Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Thomas Byrne, ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, gjatë Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Mal të Zi.
Kurti bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në takim shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Irlanda i ka dhënë Kosovës, si dhe për rolin e saj në sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-it.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, që nga viti 1999 në Kosovë kanë shërbyer më shumë se 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze.
Ai përmendi gjithashtu se gjatë luftës në Kosovë, Irlanda u kishte ofruar strehim mbi 1,000 refugjatëve shqiptarë.
Gjatë bisedës, Kurti dhe ministri irlandez diskutuan edhe për avancimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kryeministri tha se me partnerët po punohet që përparimi demokratik dhe orientimi evropian i Kosovës të shndërrohen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE.
Kurti theksoi se muaji nëntor është veçanërisht i rëndësishëm, duke shprehur pritshmërinë që Raporti i Komisionit Evropian të evidentojë progresin e Kosovës dhe që ky vlerësim të konkretizohet përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian.







